zoom

In Zoom

Armë izraelitëve, toka Trumpit e Melonit, infrastrukturën turqve. Si po e shet Edi Rama Shqipërinë për blerje influence

Armë izraelitëve, toka Trumpit e Melonit, infrastrukturën turqve. Si po e shet Edi Rama Shqipërinë për blerje influence

Ka qenë një ndër debatet më të nxehta në politikën dhe mediat italiane marrëveshja Rama – Meloni për kampin e refugjatëve në Gjadër. 

Ajo u nënshkrua më 6 nëntor të vitit 2023 në Romë, por kur kanë kaluar 2 vjet në zonën në perfieri të Lezhës kanë mbetur vetëm kontenierët e rrethuar me tela me gjëmba. 1 miliardë euro investim nga italianët dhe një ngastër e madhe toke e dhënë nga Shqipëria. 

Mediat italiane raportuan për afera të ndryshme. U tha se marrëveshja i shërbente më shumë nevojave elektorale të Giorgia Melonit, ndërsa Rama fitonte mbrojtje politike dhe kredite ndërkombëtare. La Repubblica, Il Manifesto, Domani etj ngritën pyetjen “a po dorëzon Rama sovranitet në këmbim të kapitalit politik me Melonin?”

Pyetja ende jehon teksa shqiptarët shohin se si pasuritë e Shqipërisë po u jepen pa transparencë shteteve të ndryshme apo kompanive të lidhura me ta. Dyshimet shtohen se gjithçka është e studiuar nga Rama për të përfituar influencë politike. 

IZRAELI 

Vitin e kaluar nga thesari i shtetit u derdhën miliona euro ndaj një kompanie me pronar një izraelit. Ai është Ron Yeffet, i kompanisë Timak Defence. Kjo kompani është ortake me kompaninë shtetërore shqiptare të prodhimit të armëve, Kayo. 

Qeveria shqiptare ka lidhur disa marrëveshje me kompaninë e Yeffet për blerjen e automjeteve taktike të ushtrisë. Këtë janar shqiptarët e panë Edi Ramën në takim me Beniamin Netanyahun, kryeministrin Izraelit, të cilit nuk i shkel thuajse akush nga liderët botërorë në zyrë për shkak të masakrave ndaj civilëve në Gaza. 

LEXO EDHE: https://zoom.al/profil-ron-yeffet-miku-izraelit-i-rames-ne-afera-nga-marina-e-dakarit-tek-kontratat-strategjike-ne-tirane-qe-cuan-ne-mbylljen-e-news-24/

Rama u prit me ceremoni dhe u ftua të mbante fjalim në parlametin izraeli, Knesset, ku po ashtu asnjë lider botëror nuk shkon prej kohësh për shkak të zhvendosjes së tij në Jeruzalem. Për Ramën, që po e sheh veten të izoluar gjithnjë e më shumë nga perëndimorët, hapja e dyerve nga vendi me lobin më të fuqishëm në Uashington ishte pothuajse sikur ta kishte pritur presidenti Trump. 

LEXO EDHE: https://zoom.al/shteti-derdh-miliona-te-timak-defence-e-ron-yeffet-nje-alarm-per-europen-dhe-nato/

SHBA 

Por për Trumpët, Rama ka menduar diçka tjetër nga trupi i Shqipërisë. Përpara se të vizitonte Jeruzalemin, Rama priti në Vlorë Ivanka Trump, vajzën e presidentit amerikan. Ajo, së bashku me bashkëshortin, Jared Kushner, është e interesuar për Zvërnecin dhe Sazanin. Affinity Partners e Kushner, një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të presidentit Trump, përllogarit të investojë nga 1 deri në 2 miliardë dollarë në Vlorë. 

Por New York Times, Bloomber dhe disa media të tjera ndërkombëtare, patën paralajmëruar se Rama po e bën gjithë këtë për të blerë influencë. 

The New York Times raportoi se disa pronarë tokash dyshonin se toka ishte zhvendosur apo përcaktuar për zhvillim pa një proces të qartë ligjor dhe që qeveria shqiptare kishte dhënë të drejta ndërtimi pa transparencë të plotë.  

“Pronarë lokalë po vënë në pikëpyetje se si Jared Kushner dhe Ivanka Trump arritën të krijonin të drejta zhvillimi për dy hotele luksoze… në tokë që dikur ishte nën kontrollin e një qeverie komuniste. Familja (Konomi) thotë se një pjesë e kësaj prone është konfiskuar në mënyrë korruptive pas rënies së regjimit komunist në vitin 1991… ‘Ata po përpiqen të na marrin atë që është e jona’, tha Bledar Alexandros Konomi…” – shkruan New York Times. 

LEXO EDHE: https://zoom.al/ny-times-projekti-i-jared-kushner-ne-zvernec-po-nxit-pakenaqesi-te-pronaret-e-tokave/

Artikuj të tjerë të huaj vunë në dukje se pikërisht Jared Kushner, dhëndrri i presidenti Donald Trump shfrytëzoi lidhjet politike dhe rrjetet e tij për të fituar një status si investitor strategjik dhe për të nxjerrë përpara projektin.

“Pse qeveria shqiptare e shtyu këtë ndryshim të ligjit me një nxitim kaq ekstrem. Megjithatë, në minutën e fundit, qeveria paraqiti versionin e saj të ligjit për zonat e mbrojtura… dhe Parlamenti e miratoi këtë version. Problemi është se askush nuk u konsultua” -shkruan Le Monde. 

Ne Ny Times, Politiko Europe, The Guardian etj, Edi Rama u përshkrua si një lider që negocion drejpërdrejt me investitorë të profilit të lartë, duke anashkaluar filtrat klasikë të shtetit dhe se projekti Sazan – Zvërnec u promovua dhe u shty politikisht nga vetë Rama, jo si rezultat i një procesi institucional normal.

LEXO EDHE: https://zoom.al/kongresi-kerkon-te-hetoje-kushner-per-sazanin-daily-mail-sa-paguan-rama-e-gjiknuri-te-trump/

TURQIA

Do të mbeten gjatë në memorie ceremonitë e pritjeve madhështore të Edi Ramës në Ankara nga Tayip Reçep Erdogan dhe videoja ku presidenti turk bën shoferin e tij duke e shëtitur nëpër Stamboll. 

Gjatë kësaj kohe kompanitë turke të lidhura me Erdogan morën disa vepra strategjike, me garë të dyshimtë, me fitues të paracaktuar siç thotë SPAK në hetimet e tij. 

Rama i ka dhënë Turqisë akses të gjerë ekonomik, ushtarak dhe kulturor në Shqipëri, përmes marrëveshjeve të personalizuara dhe bashkëpunimeve politike, duke krijuar një model ndikimi që shkon përtej partneritetit klasik ekonomik.

Air Albania, pas së cilës qëndron Turkish Arilines dhe Sinan Idrizi, shqiptari me lidhje direkte me Erdogan, u promovua si kompania e parë ajrore me flamur shqiptar. Por tani ajo është në prag të falimentimit. Dyshimet janë se ajo u përdor për të mbuluar shpenzimet marramendëse të avionit “Ismaili” që Edi Rama e ka përdorur si avion privat në qindra udhëtime me vlerë mbi 22 milionë euro, sipas opozitës. 

LEXO EDHE: https://zoom.al/ismaili-avioni-privat-i-edi-rames-qe-i-hengri-koken-air-albania-s-aviacioni-civil-i-pezullon-licensen/

Kompania Limak u përfshi në konsorciumin e Aeroportit të Vlorës. Behgjet Pacolli, aksioneri kryesor, ka zbuluar se si u përcaktua fituesi dhe se si ai u transferoi turqve të Erdogan 3 milionë euro. 

Insaat, një tjetër kompani turke ku pronarët janë të lidhur me Erdogan, fitoi kontratën për ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Kontrata që po hetohet nga SPAK, duket flagrante. Fillimisht tenderin e fitoi kompania “Gjoka” e Rrok Gjokës. ARRSH ia anuloi dhe shpalli fitues turqit e Insaat për 50 milionë euro më shumë. Por punimet i kreu sërish “Gjoka” si nënkontraktor i turqve. 50 milionë eurot dyshohet se janë paratë që Rama i ka kthyer mbrapsht Ergoanit për avionin “Ismaili” të Air Albania dhe për Spitalin Memorial në Fier, që Erdogan i bëri “dhuratë” Shqipërisë gjatë pandemisë. 

FRANCA

Me vendet e tjera të Bashkimit Europian, qeveria dhe Rama kanë ndjekur procedura më formale. Por francezët kanë marrë disa projekte të rëndësishme energjitike. Një prej marrëveshjeve u firmos më 17 maj në praninë e presidentit Emmanuel Macron në Tiranë, pas Samitit të Komunitetit Politik Europian. Një tjetër marrëveshje i përket sektorit privat, ndërsa francezët morën edhe një qendër kulturore në mes të Tiranës. 

Tabloja është ajo e një Shqipërie të përdorur si monedhë këmbimi politike, ku toka, infrastruktura, kontratat publike dhe sektorë strategjikë jepen për të blerë mbrojtje, influencë dhe aleatë personalë për të mbajtur pushtetin dhe jo për përfitime të Shqipërisë e shqiptarëve. Kjo është strategjia e një mbijetese politike të një njeriu të vetëm, me një faturë të madhe, të cilën e paguajnë vetëm shqiptarët. /Zoom.al

Postime të lidhura