zoom

Aktualitet

Mbajtën peng inspektorët e Tatimeve, në pranga administratori dhe 4 punonjës të resortit në Golem

Mbajtën peng inspektorët e Tatimeve, në pranga administratori dhe 4 punonjës të resortit në Golem

Pesë persona, mes tyre administratori, shefi i financës dhe tre punonjës të sigurisë së një resorti në Golem, janë arrestuar pasi dyshohet se kanë mbajtur të mbyllur për një kohë të konsiderueshme punonjësit e Task Forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të cilët ndodheshin në ambientet e resortit gjatë ushtrimit të detyrës.

Të arrestuarit janë shtetasit me iniciale S. N., 34 vjeç, administrator i resortit, Z. J., 56 vjeç, shef finance, A. K., 56 vjeç, shef i sigurisë, si dhe H. S., 64 vjeç, dhe B. A., 57 vjeç, punonjës të sigurisë.

Sipas hetimeve paraprake, ngjarja ka ndodhur më 18 korrik 2026, kur pesë të dyshuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, penguan dhe privuan nga liria punonjësit e Task Forcës së Tatimeve, të cilët po kryenin kontrolle në kuadër të detyrës së tyre.

Pas kallëzimit të bërë nga inspektorët, policia ndërhyri dhe arrestoi pesë të dyshuarit për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Postime të lidhura