zoom

Bota

Parlamenti miratoi ndryshimet në ligj për shkarkimin e tij, Presidenti i Hungarisë pranon të japë dorëheqjen

Parlamenti miratoi ndryshimet në ligj për shkarkimin e tij, Presidenti i Hungarisë pranon të japë dorëheqjen

Presidenti hungarez Tamas Sulyok ka rënë dakord të japë dorëheqjen, duke nënshkruar një ndryshim në kushtetutën e vendit që do t’i japë fund presidencës së tij mesnatën e së dielës.

Partia Tisza e kryeministrit Peter Magyar e kishte kaluar me vështirësi ndryshimin e ligjit në Parlament për të rrëzuar Sulyok, i cili shihet si një besnik i ish-kryeministrit Viktor Orbán, i cili humbi pushtetin në prill pas 16 vitesh.

Sulyok kishte pesë ditë kohë për të nënshkruar amendamentin ose rrezikonte një krizë të zgjatur kushtetuese dhe procedura shkarkimi.

Ai konfirmoi se do të pajtohej me ndryshimin e ligjit ndërsa afati skadoi të shtunën në mbrëmje, por në një deklaratë akuzoi qeverinë për shkelje të sundimit të ligjit.

Gjithashtu tha se amendamenti shënoi një “pikë thyerjeje në demokracinë kushtetuese hungareze” dhe tha se “vlerat thelbësore të një shoqërie të lirë… janë shkelur për hir të pushtetit politik”.

Kjo shënon lëvizjen më të fundit dhe më dramatike nga qeveria e Tiszës, e cila e shihte Sulyok-un si një kukull të qeverisë së mëparshme dhe kishte kërkuar dorëheqjen e tij.

Ajo ka kaluar nëpër ndryshime të mëdha kushtetuese që nga fitorja dërrmuese në prill.

Amendamenti i 17-të, i miratuar me shumicë dërrmuese të hënën , i jep fund mandatit të presidentit duke përmendur “humbje serioze të besimit” tek ai.

Gjithashtu shkarkon kreun e Gjykatës Kushtetuese dhe u ndalon deputetëve që kanë shërbyer tre mandate të kandidojnë përsëri, gjë që vlen për më shumë se gjysmën e deputetëve aktualë nga partia Fidesz e Orbán.

Ky i fundit e ka cilesuar amendamentin si një akt tiranie dhe bëri thirrje për protesta.

Postime të lidhura