Aplikacion
Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sot publikisht gazetarin Blendi Fevziu, pas një deklarate të këtij të fundit në emisionin “Opinion” në Televizionin Klan.
Fevziu deklaroi se ka dijeni që të paktën 7 ministra udhëtojnë jashtë vendit në fundjavë dhe lënë të përgatitura video të regjistruara paraprakisht për publikim, sikur janë në detyrë.
Por kryeministri Rama, ka lënë për një moment mënjanë gjithë hallet që kanë zënë qeverinë, me korrupsionin galopant në AKSHI, me kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, me përmbytjet katastrofike në Durrës për shkak se ka ndërtuar një hidrovor jashtë çdo standardi siç thonë ekspertët, me rrugët që i shemben anembanë vendit pak pas inagurimeve dhe ka gjetur kohë të merret me deklaratat e gazetarit Fevziu.
Dhe Rama, jo vetëm i quajti të pavërteta deklaratat e Fevziut, po u mor edhe me udhëtimet private të gazetarit, i cili, ndryshe nga ministrat e Ramës, nuk i mban ato të fshehta, po i publikon vazhdimisht në rrjetet e tij sociale. Sepse, ndryshe nga ministrat e Ramës që udhëtojnë me paratë e shqiptarëve apo nga vetë Rama që udhëton në luksin e charter -it “Ismaili” po me paratë e shqiptarëve, Fevziu i bën publike udhëtimet e tij sepse i paguan nga xhepi i vet.
Krahasimi që ka bërë Rama ka nxitur debat në rrjet, pasi roli i një gazetari nuk është i barazvlefshëm me atë të një funksionari publik. Ndryshe nga ministrat, të cilët menaxhojnë fonde publike, kanë detyrim transparence ndaj qytetarëve, një gazetar i një televizioni privat nuk ushtron asnjë pushtet ekzekutiv dhe nuk merr vendime për qytetarët e as paratë e tyre.
Kryeministri, që duket se ka shpenzuar më shumë energji për deklaratën e Fevziut sesa për mbledhjen e mëngjesit mbi situatën e rëndë të përmbytjeve në vend, është përballur me kritika të forta. Në rrjetet e tij sociale, ndjekës të shumtë i kanë kujtuar se fokusi i tij duhet të ishte menaxhimi i emergjencës dhe adresimi i halleve të qytetarëve, veçanërisht në një moment kur zona të tëra të Shqipërisë, nga Shkodra në Vlorë, ndodhen nën ujë.
Postimi i Ramës:
BREAKING NEWS
Blendi Fevziu i paskej rënë fort fare mbrëmë këmbanës së alarmit, duke deklaruar live në sallonin e tij se ka me fakte që “të paktën 7 ministra janë në udhëtime private jashtë shtetit të shtunave e të dielave, dhe lënë kasetat me inspektime nëpër tv sikur janë në punë”…
“Këtë jua garantoj”, ka thënë Fevziu, duke shtuar se “kjo është praktikë e paprecedentë, jashtë çdo standardi demokratik dhe nuk përdoret në asnjë vend tjetër të botës”.
Jo vetëm garancia e dhënë nga Fevziu nuk gjen mbështetje në asnjë fakt të regjistrit të udhëtimeve të ministrave (të cilët edhe kur dalin për arsye personale jashtë vendit e bëjnë me një kërkesë për leje dhe vetëm me miratim) po është kaq larg realitetit, sa edhe vetë fakti që prej vitesh s’ka më kaseta në nahijen tonë:-)
E vetmja arsye që unë i gjej kësaj bubullime janë 7 udhëtimet e fundit të Fevziut në Amerikën Latine, ku Fevziu bashkë me Baton Haxhiun, andej hante mëngjes me llapingachos në Ekuador ose rrufiste kafen e famshme Caranavi 8500 këmbë mbi nivelin e detit në Bolivi dhe këtej grindej live në Opinion deri në mesnatë po me Batonin – natyrisht bashkë me korin e llazoreve të sallonit të tij – sa për kronikën e zezë të javës e sa për përgjimet e zbardhura të ditës…
E që të jem korrekt me faktet, udhëtimet mbetën 6 sepse teksa kaseta e TV Klanit, transmetonte Fevziun që i kërkonte llogari live natën në ekran policisë shqiptare për gjendjen e rendit publik, Fevziu i vërtetë i jepte llogari live paradite policisë venezuelane pse dreqin donte të hynte në atë vend. Dhe ndërkohë që live këtej në Opinion, Fevziu me kostum e kravatë nxiste deri vonë sherrin e panelit me policinë, live andej në kufirin e Venezuelës policia e kthente mbrapsht Fevziun me këmishë me lule e kapele kashte, duke e konsideruar një demokrat shumë fanatik për të vizituar atë narkodiktaturë shumë krenare.
Kjo shaka e mbështetur në fakte reale, ishte goxha më shumë se gjysma e të vërtetës dhe nuk kishte absolutisht qëllim të nxirrte ndonjë inat të paprecedent jashtë çdo standarti demokratik me Blendi Fevziun, sepse është liria e tij të shkojë ku të dojë dhe e drejta e TV Klanit që ta transmetojë Opinionin live në mungesë të Fevziut.
Por nëse Fevziu e do fare seriozisht këtë temën idiotike të kasetave, e po të dojë edhe të udhëtimeve jashtë shtetit të ministrave natyrisht, atëherë dihet botërisht, unë jam gjithnjë i tiji, gati për t’u përballur me opozitën e vetme që ka mbetur pa dalë krejt mendsh e boje në këtë vend – pavarësisht lajthitjeve të teketukshme live si kjo e 7 ministrave, të cilat kanë edhe anën e tyre humoristike
***Bashkëngjitur 6+1 udhëtimet e Blendit

Spanja i rremben titujt Lionel Messi-t, Rodri shpallet lojtari i turneut në Kupën e Botës