Aplikacion
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë seancës parlamentare të kësaj të enjteje, duke deklaruar se udhëtimi i fundit i kreut të qeverisë me avion privat ka pasur një kosto prej 300 mijë eurosh.
Në fjalën e tij në Kuvend, Berisha kritikoi mungesën e Ramës në interpelancat parlamentare, duke theksuar se kryeministri po shmang përballjen me deputetët dhe qytetarët për çështje që, sipas tij, lidhen me problematika të rëndësishme të qeverisjes.
Lideri demokrat u shpreh se mosparaqitja e kryeministrit në Kuvend përbën shkelje të Kushtetutës, duke iu referuar nenit 80, i cili parashikon detyrimin e kryeministrit për t’iu përgjigjur kërkesave për interpelancë të deputetëve.
Sipas Berishës, kjo situatë po dëmton funksionimin normal të parlamentit dhe po cenon standardet kushtetuese të vendit.
Në deklaratën e tij, Berisha përmendi edhe shpenzimet për udhëtimet ajrore të kryeministrit, duke pretenduar se në dy vitet e fundit janë harxhuar miliona euro për fluturime me avion.
“Çështja themelore që unë dua të shtroj sot këtu është kushtetuta e vendit dhe kushtetutshmëria e seancës. Në qoftë se për të tetën apo të dhjetën herë, shkelen në parlament neni 80 i kushtetutës, i cili detyron kryeministrin të paraqitet në interpelancë kur deputetët e kërkojnë për interesat e qytetarëve dhe ai nuk vjen, e vërteta është se parlamenti del jashtë kushteve të rendit kushtetues dhe të respektimit të kushtetutës.
Është bërë si kurrë ndonjëherë në 35 vite. Kreu i ekzekutivit i tmerruar nga veprat e tij nuk guxon të dalë në këtë platformë para qytetarëve dhe deputetëve, për krimet e rënda, për problemet madhore që mbajnë autorësinë e tij. Ndërkohë shqiptarët rrokullisen çdo muaj dhe më shumë në varfëri. Ai fluturon në dy vite, 23 milionë euro fluturime, me avion taksi. Tani u rikthye prapë. Mediat informojnë se në udhëtimin e fundit avioni shkon 300 mijë euro. Parlamenti bllokohet në hetimin e tij”, tha Berisha.
Përdorimi i avionëve charter nga zyrtarët e lartë të qeverisë është kthyer shpesh në objekt përplasjesh politike mes mazhorancës dhe opozitës, me demokratët që kërkojnë transparencë mbi kostot dhe procedurat e udhëtimeve zyrtare.
Në vitin 2022, PD inicioi ngritjen e një komisioni hetimor për fluturomet charter të kryeministrit Edi Rama.
Partia Demokratike pretendoi asokohe se kryeministri Rama ka udhëtuar me avion charter 137 herë, duke vënë në dukje se vetëm një udhëtim charter kushton nga 15 mijë në 20 mijë euro.
Opozita kërkoi një hetim parlamentar për të treguar sa kushtojnë udhëtimet e shefit të qeverisë, arsyet për të cilat ai ka përdorur avion charter dhe kush i paguan udhëtimet e kryeministrit Rama. Por kërkesa u rrëzua nga mazhoranca./ Zoom.al
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari