Aplikacion
Deputeti i PD-së, Besart Xhaferri ka ngritur akuza të forta ndaj qeverisë lidhur me gjendjen financiare të kompanisë ajrore Air Albania dhe marrëveshjet e saj për fluturimet charter të Kryeministrit Edi Rama. Në një postim, Xhaferri e krahasoi këtë çështje me “aferën e Tunelit të Llogarasë”, duke e cilësuar një tjetër skandal financiar me kosto për shtetin.
Sipas tij, Air Albania – ku shteti shqiptar zotëron 10% të aksioneve – ka dorëzuar bilanc financiar vetëm në vitin 2018, kur kompania u themelua, dhe që prej atëherë nuk ka bërë asnjë raportim në institucionet shtetërore. Deputeti thotë se ka kërkuar zyrtarisht informacion nga Këshilli i Ministrave për bilancet e kompanisë, si dhe për marrëveshjen e vitit 2020 mes Air Albania dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve Qeveritare, për ofrimin e fluturimeve të posaçme charter për kryeministrin Rama.
Xhaferri kërkon transparencë mbi pagesat që lidhen me udhëtimet e Kryeministrit, duke theksuar se informacione jozyrtare flasin për një borxh të akumuluar prej rreth 50 milionë eurosh nga Air Albania: 20 milionë euro ndaj Aeroportit të Rinasit dhe kompanive private në vend, si edhe 30 milionë euro ndaj aeroporteve ndërkombëtare.
Sipas tij, kreditorët i janë drejtuar kompanisë mëmë, Turkish Airlines, që mban 49% të aksioneve, ndërsa 41% zotërohet nga MDN Investments dhe 10% nga Albcontrol. Deputeti shton se disa javë më parë bordi i Turkish Airlines ka njoftuar synimin për të shitur aksionet në Air Albania, ndërkohë që – sipas tij – qeveria shqiptare po përgatitet të blejë kompaninë që ai thotë se është çuar në prag falimenti nga përdorimi i charterit të Kryeministrit.
“Qeveria po përgatitet të blejë një kompani me 50 milionë euro borxhe, të shkaktuara nga charteri privat i Edi Ramës,” deklaroi Xhaferri, duke paralajmëruar se këtë çështje do ta ngrejë edhe në Parlament.
Ai bëri thirrje që institucionet të bëjnë transparencë dhe që SPAK e BKH të nisin hetime për atë që e cilëson një “marrëveshje korruptive nëse ndodh”, duke theksuar se “jemi në kohë ta ndalojmë”.
Postimi i plotë:
Charteri i Ramës si afera e Tunelit të Llogarasë/ Air Albania 50 milionë € borxhe, shteti do të blejë kompaninë që falimentoi nga charteri i Ramës!
Kompania Air Albania, në të cilën Shteti Shqiptar ka 10% të aksioneve, ka dorëzuar bilancin vetëm për vitin 2018 kur u themelua dhe prej atij viti nuk ka dorëzuar më asnjë bilanc financiar në institucionet shtetërore të Shqipërisë.
Në cilësinë e Deputetit të Kuvendit të Shqipërisë i kam dërguar zyrtarisht kërkesë për informacion Këshillit të Ministrave lidhur me bilancet e kësaj kompanie.
Kam kërkuar informacion edhe për marrëveshjen e vitit 2020, pasi që prej atij viti Air Albania ka lidhur një marrëveshje bashkëpunimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve Qeveritare për ofrimin e shërbimit të fluturimeve të posaçme charter për Edi Ramën.
Kam kërkuar transparencë lidhur me pagesat përkatëse që lidhen me udhëtimet me charter të KM z. Edi Rama, në zbatim të marrëveshjes së sipërcituar.
Sipas informacioneve jo zyrtare kompania Air Albania ka akumuluar rreth 50 milionë euro borxhe, konkretisht 20 milionë euro ndaj Aeroportit të Rinasit dhe kompanive private në vend dhe 30 milionë euro ndaj aeroporteve ndërkombëtare.
Për këtë arsye, kompanitë të cilave Air Albania u ka borxh, thuhet se i janë drejtuar kompanisë mëmë, Turkish Airlines, që zotëron 49% të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër e aksioneve zotërohet nga MDN Investments me 41% dhe Albcontrol me 10%.
Po ashtu aludohet se disa javë më parë, bordi i Turkish Airlines njoftoi investitorët, nëpërmjet një shpalljeje të shkurtër, se do t’i shiste aksionet e tij në kompaninë ajrore shqiptare, Air Albania.
Qeveria shqiptare flitet se po përgatitet të blejë këtë kompani me 50 milionë euro borxhe, të shkaktuara nga charteri privat i Edi Ramës.
Për këtë çështje do flas dhe në Parlament ndërkohë është koha që institucionet të bëjnë transparencë dhe që SPAK dhe BKH të hetojnë këtë marrëveshje korruptive nëse ndodh!
Jemi në kohë ta ndalojmë!
Afera me charter-in
Kryeministri Edi Rama e ka trajtuar kompaninë “Air Albania” si një biznes familjar dhe ka përdorur vazhdimisht avionin me emrin “Ismail” si charter-in e tij privat, ndonëse është aset i kompanisë dhe vihet në përdorim me paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Qeveria dhe Drejtoria e Shërbimeve Shtetërore nuk kanë pranuar t’i bëjnë publike as kontratat e as shpenzimet e Ramës me Ismailin.
Një hetim i thellë parlamentar vetëm mbi udhëtimet e Edi Ramës, kush i financon, sa kushtojnë dhe pse mbahen sekret do të mjaftonte për ta rrëzuar nga pushteti.
Hakerat iranianë kanë zbuluar se kryeministri shqiptar ka udhëtuar 140 herë me charterin e pagëzuar me emrin Ismaili.
Opozita thotë se ka shpenzuar 22 mln euro, ndonëse ajo s’e ka marrë asnjëherë seriozisht këtë çështje.
Zoom.al ka provuar se një avion si i Ramës shpenzon 15 mijë USD në një orë fluturim. Ai është një avion luksoz me dhomë gjumi dhe me 12 anëtarë ekuipazhi, të cilin nuk e kanë as kryeministra të vendeve anëtare të BE.
Zoom.al ka kërkuar vazhdimisht nga institucionet shqiptare të tregojnë se sa para paguhen për udhëtimet luksoze të kryeministrit me avionin charter, por asnjë prej tyre nuk ka pranuar të japë të dhëna.
Ka dyshime se pas charterit të Ramës të qëndrojë kompania Air Albania, e cila, ndonëse është përmendur vazhdimisht për këtë çështje nuk e ka sqaruar asnjëherë pozicionin e saj.
/Zoom.al
Spanja i rremben titujt Lionel Messi-t, Rodri shpallet lojtari i turneut në Kupën e Botës