Aplikacion
Kriza financiare e “Air Albania” po përshkallëzohet, duke krijuar një situatë të pazakontë edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Burime të sigurta konfirmojnë për Zoom.al se avionët e kompanisë ajrore që mban flamurin kombëtar nuk qëndrojnë më të parkuar në Rinas, siç ka qenë praktika prej vitesh.
Një zyrtar i aeroportit tha për Zoom.al se “avionët, që mbajnë emrat e figurave të shquara kombëtare, “Ismaili, Lasgushi, Migjeni e Fishta” nuk vijnë aty prej kohësh”.
“Avionët e Air Albania-s nuk qëndrojnë këtu prej një kohe të gjatë. Janë zhvendosur në vende të tjera,” – u shpreh ai, pa dhënë detaje se ku mbahen aktualisht mjetet fluturuese.
Nuk është e qartë nëse kjo lëvizje është masë e kompanisë për të shmangur sekuestrimin e avionëve nga kreditorët, ose, nëse si pasojë e mosshlyerjes së detyrimeve financiare ndaj Aeroportit të Rinasit, drejtuesit kanë vendosur ta dëbojnë.
Sipas faqes zviceriane të specializuar për aviacionin Ch-Aviation, “Air Albania” është paditur në gjykatë nga një prej kompanive që i ka dhënë avionët me qira, për shkak të mospagimit të qirasë. Madje, sipas raportimeve në media, muajin e kaluar një prej avionëve të saj, i marrë me qira nga kompania Etihad, është sekuestruar në aeroportin e Stambollit.
Situata është përkeqësuar edhe më shumë javët e fundit. Aeroporti i Lubjanës njoftoi se “Air Albania” ka anuluar fluturimet Tiranë-Lubjanë-Tiranë, duke e justifikuar vendimin me vështirësitë financiare të kompanisë. Borxhet e saj, sipas Turkish Airlines – që zotëron 49% të aksioneve – llogariten në 30 milionë euro.
Përveç kësaj, kompania nuk ka deklaruar bilancet financiare prej gjashtë vitesh, ndërsa opozita ka denoncuar se ajo ka shërbyer për të mbuluar shpenzimet e fluturimeve private të kryeministrit Edi Rama me avionin “charter” “Ismaili”, me fatura që kapin vlerën mbi 22 milionë euro.
Mosqëndrimi i avionëve në Rinas shihet si një shenjë alarmante që tregon se “Air Albania” është buzë falimentimit dhe se ekziston frika reale që avionët të sekuestrohen nga kreditorët ndërkombëtarë, ashtu siç ndodhi me avionin e ndaluar në Stamboll. /Zoom.al
Homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti, Aurela Gaçe me lot në sy: Do e mbaj premtimin