zoom

Aktualitet

I jepet lamtumira gazetarit Enrik Mehmeti, mbahen homazhe në nderim të tij! I pranishëm edhe kryeministri Rama

I jepet lamtumira gazetarit Enrik Mehmeti, mbahen homazhe në nderim të tij! I pranishëm edhe kryeministri Rama

Teatri “Petro Marko” në Vlorë është kthyer këtë të diel në vendin ku familjarë, miq, kolegë të medias dhe qytetarë janë mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit gazetarit Enrik Mehmeti.

Gazetari 40-vjeçar humbi jetën tragjikisht mbrëmjen e së shtunës pas një aksidenti në zonën e plazhit të Porto Novos, në Zvërnec të Vlorës. Në ceremoninë mortore kanë qenë të pranishëm edhe figura të politikës, mes tyre Kryeministri Edi Rama, i cili ka shprehur ngushëllimet për familjen e të ndjerit.

Sipas të dhënave paraprake, aksidenti ndodhi teksa Mehmeti po lëvizte me një motor me katër rrota. Dyshohet se ai humbi kontrollin e mjetit gjatë një manovre, duke bërë që mjeti të përmbysej dhe të rrokullisej disa herë. Përplasja i shkaktoi plagë të rënda, të cilat rezultuan fatale.

Enrik Mehmeti ishte një prej emrave më të njohur të medias lokale në Vlorë, me më shumë se dy dekada përvojë në gazetari. Gjatë karrierës së tij ai ka raportuar ngjarje të shumta nga politika, kronika, kultura dhe sporti, duke u vlerësuar për profesionalizmin dhe angazhimin e tij në terren.

Udhëtimi i tij drejt gazetarisë kishte nisur që në moshë të re. Në vitin 1997, gjatë operacionit “Alba”, ai u angazhua si përkthyes për trupat italiane të dislokuara në Shqipëri, përvojë që shënoi edhe fillimet e rrugëtimit të tij profesional.

Për vite me radhë, Mehmeti u shndërrua në një nga zërat më aktivë të medias në Vlorë, duke përcjellë problematikat e komunitetit dhe duke sjellë raportime nga terreni.

Ndarja e tij nga jeta ka lënë pas një dhimbje të madhe te familjarët, kolegët dhe komuniteti mediatik.

Postime të lidhura