Aplikacion
Aurela Gaçe ka qenë mes të pranishmëve në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti, të zhvilluara në Teatrin “Petro Marko” në Vlorë. Këngëtarja e njohur ka kujtuar me emocion figurën e gazetarit vlonjat dhe mbështetjen që ai i ka dhënë ndër vite.
Ajo u shpreh se Enrik Mehmeti ishte një njeri i gatshëm për të ndihmuar dhe se gjithmonë gjente kohë për të qenë pranë njerëzve, duke e cilësuar si një person me zemërgjerësi të veçantë.
“Ka qenë me mua, në mbështetje, duke ardhur e duke më shoqëruar nëpër anije, duke folur me njerëz që njihte vetë. Të marrësh nga koha jote dhe t’ia dhurosh dikujt tjetër tregon për zemërgjerësinë dhe për atë që je si njeri. Mund ta bësh një herë, por ai e ka bërë gjithmonë”, tha Gaçe.
Këngëtarja tregoi edhe bisedën e fundit me gazetarin, vetëm pak ditë para ndarjes së tij nga jeta. Ajo tha se kishin diskutuar për një projekt muzikor dhe se do ta realizojë atë në kujtim të tij.
“Herën e fundit që fola me të ishte para një jave. I thashë që ndodhesha në Vlorë për xhirime dhe ai më tha: ‘Nëse të duhet një flotë e madhe me skafe e gomone, rreth 100, t’i bëj vëllai të rreshtohen aty’. I thashë se do të bënim një këngë dhe tani që i dhashë fjalën, do ta bëj, sepse kjo ishte biseda jonë e fundit”, u shpreh Aurela Gaçe.
Në Teatrin “Petro Marko” janë mbledhur familjarë, miq, kolegë të medias dhe qytetarë për t’i dhënë lamtumirën e fundit gazetarit Enrik Mehmeti, i cili humbi jetën tragjikisht në moshën 40-vjeçare pas një aksidenti në zonën e Porto Novos, në Zvërnec të Vlorës.
Mehmeti la pas një karrierë prej më shumë se dy dekadash në gazetari, duke qenë një nga figurat më të njohura të medias lokale në Vlorë.