Aplikacion
Një aksident i rëndë i ka prerë në mes jetën gazetarit Enrik Mehmeti, një prej emrave më të njohur të raportimit në qarkun e Vlorës. Lajmi tragjik ka tronditur familjarët, kolegët dhe komunitetin mediatik, ku Mehmeti prej vitesh ishte angazhuar në pasqyrimin e kronikës dhe zhvillimeve më të rëndësishme të rajonit.
Burime për mediat konfirmojnë se aksidenti fatal është regjistruar mbrëmjen e kësaj të shtune, në zonën e Porto Novës, në Zvërnec. Sipas të dhënave paraprake, gazetari po lëvizte me një motor me katër rrota kur dyshohet se, për shkak të humbjes së kontrollit gjatë një manovre, ai doli nga trajektorja dhe u rrokullis disa herë.
Gjatë aksidentit, një pjesë metalike e mjetit e goditi rëndë në kraharor, duke i shkaktuar dëmtime fatale. Pavarësisht përpjekjeve të bluzave të bardha për t’i dhënë ndihmën e parë, 40-vjeçari nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Enrik Mehmeti ishte gazetari i News 24 prej shumë vitesh dhe mbulonte me profesionalizëm ngjarjen në qarkun e Vlorës. Ai njihej për përkushtimin, seriozitetin dhe korrektësinë me të cilin e ushtronte profesionin e tij, një profesion që e donte qysh në rininë e tij.
Kjo humbje e papritur ka lënë në dhimbje familjarë, miq dhe kolegë të shumtë që Mehmeti kishte fituar përgjatë gjithë jetës së tij. Por një dhimbje më e madhe dhe një vend bosh është lënë në zemrën e bashkëshortes së tij, dhe dy fëmijëve.