Aplikacion
Është zbardhur dëshmia e ish-drejtoreshës së Filialit të Postës Durrës, Elisabeta Mataj, e arrestuar në kuadër të hetimeve për mungesën e rreth 700 mijë eurove në arkën e institucionit.
Në deklarimet e saj, ajo pretendon se që pas marrjes së detyrës në fund të vitit 2025 kishte konstatuar probleme në administrimin e sektorit të financës, ndaj kishte ndërmarrë masa për forcimin e kontrollit të arkës, monitorimin e lëvizjes së vlerave monetare dhe kufizimin e aksesit në ambientet e sigurisë, masa që sipas saj u kundërshtuan nga shefja e financës, Valbona Duni.
Mataj deklaron se kishte kërkuar ndërhyrjen e strukturave qendrore të Postës Shqiptare për kryerjen e një kontrolli, pas të cilit kishte propozuar masa disiplinore dhe lëvizje për disa punonjës, ndërsa pretendon se kishte ngritur shqetësime edhe për mënyrën e transportimit të parave nga banka, që sipas saj kryhej pa mjet të blinduar dhe pa shoqërues.
Ajo shton se pas dorëheqjes së shefes së financës kishte kërkuar asistencë nga qendra për procedurën e dorëzimit të detyrës, ndërsa gjatë kontrollit të zhvilluar në korrik 2026 u informua për mungesën e rreth 69 milionë lekëve në arkë, duke mohuar çdo përfshirje dhe duke theksuar se kishte kërkuar zyrtarisht sqarime për shkeljet e konstatuara.
“Pas këtij kontakti, në datë 09.07.2026 ka ardhur kontrolli i punës nga qendra dhe më ka marrë në telefon Edlira dhe më ka thënë se ishte te institucioni i postës për kontroll. Unë isha në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku jam dhe anëtare, por ju vazhdoni deri sa të vij unë, i kam thënë në telefon.
Unë kam shkuar rreth drekës në punë, u takova me grupin e punës së kontrollit dhe pas përfundimit të kontrollit më kanë ardhur në zyrë dhe më thanë: “Kemi konstatuar shkelje, që mungojnë një sasi lekësh në vlerën 69 milionë”, sipas procesverbalit të mbajtur nga ana e tyre.
Unë i kam thënë se nuk kam dijeni për lekët, pasi është përgjegjësi e financës dhe nuk kam pasur asnjëherë ankesa nga zyrat apo degët për mungesë fondesh.
Në procesverbalin e mbajtur prej tyre, ndër të tjera, është shënuar se për diferencën e munguar të 69 milionë lekëve janë pyetur shtetaset Valbona Duni dhe Paola Dana se nga kush janë tërhequr këto vlera të munguara dhe pretendimi i tyre është se janë tërhequr rregullisht sipas datave nga drejtoresha e filialit Durrës, zonja Elisabeta Mataj, dhe ky fakt nuk është pranuar prej saj”, ka thënë ajo ndër të tjera.
Ndërkohë më herët bëmë me dije se në seancën e sotme doli në dritë dhe një tjetër detaj, ku Mataj së bashku me bashkëshortin e saj ishin frekuentues të kazinosë. Nga ana e ish-drejtoreshës nuk u mohua, por u shpreh se nuk ka pasur asnjë ndalim ligjor apo kontraktual që ta pengonte të shkonte në kazino.
“Unë jam qytetare e lirë. Më shpjegoni se cila është kontrata e firmosur që nuk mund të shkoj në lokale, bare dhe kazino”,ka deklaruar Mataj gjatë seancës. E pyetur nga gjykata se ku kanë përfunduar paratë që dyshohet se janë përvetësuar, ish-drejtoresha e Postës Shqiptare në Durrës është përgjigjur se “nuk e di”.