zoom

In Zoom

35 milionë eurot për turqit e Aeroportit të Vlorës dhe të Tunelit të Llogarasë dhe avioni i Sinan Idrizit që përdor Rama si “dhuratë” nga Erdogan

35 milionë eurot për turqit e Aeroportit të Vlorës dhe të Tunelit të Llogarasë dhe avioni i Sinan Idrizit që përdor Rama si “dhuratë” nga Erdogan

 Fijet që lidhin Tiranën me Ankaranë në të paktën 3 projekte miliona eurosh

Konflikti mes aksionarëve të “Vlora International Airport” Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi, po nxjerr në sipërfaqe një rrjet personazhesh dhe interesash që shkojnë përtej dy biznesmenëve nga Kosova dhe që lëvizin mes Shqipërisë e Turqisë. Që nga shpërthimi i kësaj çështjeje, historia e aeroportit të Vlorës po formësohet çdo ditë e më shumë si një nyje ku përzihen biznesi e politika në Tiranë e Ankara.

Bashkë me të, hetimet e SPAK për për një tjetër vepër të infrastrukturës publike, Tunelin e Llogarasë, çojnë në gjurmët e të njëjtave lidhje.

AEROPORTI I VLORËS

 Behgjet Pacolli deklaroi publikisht në intervistën me Blendi Fevziun se ai ishte futur në lojë në ndërtimin e aeroportit tëVlorës nga një biznesmen turk, mik i presidentit Recep Tayyip Erdogan. Ai tha se turku me emrin Hysen e kishte telefonuar për t’i propozuar ta ndërtonin bashkë aeroportin.

“Marr një telefonatë nga një person në Turqi cilin unë e kisha njohur herët në Kazakistan, një i ashtuquajtur Hyseni. Thotë unë kam marrë një telefonatë prej presidencës turke që të udhëtoj në Shqipëri me 2 detyra, e prara që të ndërtoj një spital dhe e dyta që qenka një aeroport atje dhe ne mundemi me qenë bashkëfinancues”.

Pak më vonë Behgjet Pacolli formoi konsorciumin me “YDA Group” për të ndërtuar Aeroportin e Vlorës, me një vlerë fillestare prej 104 milionë eurosh. Vlera aktuale, sipas Pacollit, ka arritur në 140 milionë euro.

Por kush fshihet pas “Yda Group” dhe përse duhej një kompani turke të përfshihej në një projekt me rëndësi strategjike?

Behgjet Pacolli me presidentin turk Erdogan

AEROPORTI I VLORËS – ERDOGAN – YDA GROUP  

 Koncesioni i Aeroportit të Vlorës u fitua në prill të vitit 2021. Një vit më vonë, “YDA Group” tërhiqet dhe vendos t’ia shesë Behgjet Pacollit 47% të aksioneve që kishte në konsorcium. Në QKB shitja bëhet për 4 450 euro. Por në fakt turqit u larguan pasi i mbushën mirë xhepat. Pacolli tha në intervistën me Fevziun në Opinion se u kishte paguar 3 milionë euro.

Ai tregoi po ashtu se kur kishte shkuar në zyrën e ministres Balluku me ftesë të turkut Hysen (drejtuesi i YDA Group quhet Hüseyin Arslan), gjithçka dukej se ishte folur më parë, ashtu sic Hyseni i kishte thënë se ishte telefonuar nga presidenca turke.

“YDA Group” drejtohet nga Hüseyin Arslan. Ai ka lidhje të ngushta me presidentin turk Erdogan dhe me partinë e tij në pushtet, AKP. Hüseyin Arslan ka një marrëdhënie të hershme me AKP-në përmes motrës së tij, e cila është e martuar me xhaxhain e njërit prej themeluesve të partisë së Erdoganit. Arslan e ka lavdëruar publikisht Erdoganin pas përpjekjes për grusht shteti në Turqi në vitin 2016. Në shenjë mirënjohjeje, Erdogan i dorëzoi Arslanit një pllakë vlerësimi në një ceremoni çmimesh në vitin 2018. “YDA Group” është e njohur në Turqi për fitimin e shumë tenderëve qeveritarë, përfshirë projekte të mëdha infrastrukturore me partneritet publik-privat (PPP), si spitale dhe aeroporte.

Por a janë edhe ndërtimi i spitalit ”Memorial” në Fier dhe i Aerportit të Vlorës rezultat i miqësisë së tij me Erdogan dhe i vëllazërisë mes Erdoganit dhe Ramës?

TUNELI I LLOGARASË – ERDOGAN – ASL İNŞAAT

 Një vit pëpara Aeroportit të Vlorës qeveria shqiptare dha me koncesion Tunelin e Llogarasë, një vepër publike me e shtrenjtë se aeroporti.

Ndërtimin e Tunelit e fitoi në vitin 2020 konsorciumi turk “Intekar Yapi Turizm Elektrik Insaat Sanayi ve Ticaret Ltd. Şti.” dhe “ASL İnşaat Taahhüt ve Sanayi Ticaret Ltd. Şti.”

Në 2018 Autoriteti Rrugor Shqiptar e hapi tenderin me vlerë rreth 102 milionë euro. Në dhjetor të këtij viti fituese u shpall kompania shqiptare “Gjoka Konstruksion”. Oferta e saj ishte afro 140 milionë euro me TVSH. Por në fillim të vitit 2019, Qeveria shqiptare anuloi procedurën, duke e justifikuar me “nevojën për rishikim të projektit teknik dhe kostove”.

“Intekar Yapi & ASL” e fituan tenderin për një vlerë 172 milionë euro. Por pasi e morën, ata ia dhanë sërish kompanisë “Gjoka Konstruksion” për ta ndërtuar për 140 milionë euro duke fituar 32 milionë euro nga një operacion i thjeshtë, pa asnjë kosto shtesë. Ata, sipas ish -zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, nuk sollën kurrë asnjë pajisje nëShqipëri për ta përdorur për ndërtimin e tunelit dhe gjithçka u krye nga “Gjoka”.

Zyrtarisht, anulimi u arsyetua me nevojën për “studim të ri gjeologjik” dhe “përmirësim të projektit ekzekutiv” por në qarqe politike dhe të bisnesit të ndërtimit u përfol se pas anulimit qëndronte presion politik dhe interesi për t’ia kaluar punimet kompanive turke të afërta me Presidentin Erdogan.

Biznesmeni Abdulkadir Kart me presidentët Erdogan dhe Aliyev

Biznesmeni Abdulkadir Kart me presidentët Erdogan dhe Aliyev

Kompania “ASL İnşaat është në pronësi të Abdulkadir Kart, një ish-deputet i parlamentit turk nga Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit (AKP) e presidentit Recep Tayyip Erdogan. Ai përshkruhet në media si një bashkëpunëtor dhe mik i ngushtë i Erdogan. Ata raportohet se janë miq të afërt dhe se kanë qenë dikur fqinj. Madje Erdogan ka qenë dëshmitar në dasmën e djalit të Kart në vitin 2017.

Kart ka shërbyer si deputet i AKP-së për Rizen, rajoni i origjinës së Erdoganit, ndërsa ASL İnşaat ka fituar një sërë projektesh të mëdha publike në Turqi, përfshirë katër projekte nga Bashkia e Stambollit kur ajo drejtohej nga AKP-ja.

Me shpërthimin e skandalit të Tunelit të Llogarasë në Shqipëri e Turqi po ngrihen gjithnë e më shumë dyshime se dhënia e tenderit turqve ishte një “kërkesë” nga presidenti Erdogan, i cili thuhet se ka lobuar personalisht për këtë kompani.

“AIR ALBANIA” – SINAN IDRIZI – AVIONI “ISMAILI” I EDI RAMËS – ERDOGAN

Dy vjet përpara tenderit të Tunelit të Llogarasë një tjetër kompani turke e lidhur me pushtetin e presidentit Erdogan u shfaq në Shqipëri. Në maj të vitit 2018 në Shqipëri u krijua kompania “Air Albania”, si partneritet mes “Turkish Airlines” me 49% të aksioneve, “MDN Investment” e biznesmenit kontrovers Sinan Idrizi, me lidhje të ngushta me Erdogan që kishte 41% të aksioneve dhe kompanisë shtetërore Albcontrol me 10% të aksioneve.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Rinas, Edi Rama dhe presidenti Erdogan prezantuan avionin Airbus A319 me emrin “Ismaili”, dedikuar Ismail Qemalit, themeluesit të shtetit shqiptar. Ky avion u regjistrua zyrtarisht në flotën e Air Albania më dhjetor 2018 dhe filloi fluturimet charter në fillim të 2019-s. Më përpara ai i përkiste qeverisë turke.

Erdogan - Rama - Sinan Idrizi

Erdogan – Rama – Sinan Idrizi

“Turkish Airlines” është kompania ajrore kombëtare e Turqisë, por edhe një instrument ekonomik dhe diplomatik i rëndësishëm nën kontrollin e drejtpërdrejtë të shtetit turk dhe presidentit Recep Tayyip Erdogan. Shteti turk zotëron shumicën e aksioneve përmes fondit Türkiye Wealth Fund , i cili raporton drejtpërdrejt te presidenti Erdogan. Që nga viti 2018, me ndryshimin kushtetues që i dha presidentit kompetenca të zgjeruara, Erdogan ka kontroll të drejtpërdrejtë mbi bordin e Fondit Sovran të Turqisë, i cili mban rreth 49% të aksioneve të Turkish Airlines (pjesa tjetër qarkullon në bursë).

Drejtuesit kryesorë të “Turkish Airlines” janë emëruar nga vetë Erdogan ose njerëz të afërt me AKP-në. “Turkish Airlines”është përdorur si instrument i “soft power”-it turk, për të rritur ndikimin diplomatik dhe ekonomik të Ankarasë në rajone strategjike si Ballkan, Afrikë dhe Lindje e Mesme. Kompania ka hapur linja direkte fluturimi në mbi 120 vende, shpesh në destinacione të lidhura me projektet ekonomike dhe politike të Erdoganit. Zyrtarë turq kanë deklaruar se Erdogan personalisht ka ndikuar në hapjen e linjave të reja në vende si Shqipëria, Somalia, Libia, Katari, Nigeria, etj.

İlker Aycı, që drejtoi kompaninë nga viti 2015 deri në 2022, ka qenë këshilltar personal i Erdoganit në periudhën e tij si kryeministër. Në vitin 2022, pas dorëheqjes së Aycı-t, Erdogan emëroi në krye të bordit një tjetër figurë të afërt politikisht, Ahmet Bolat, profesor dhe anëtar i AKP-së.

“Turkish Airlines” është bashkë-aksionere në disa kompani të përbashkëta të kontrolluara politikisht, si Air Albania me qeverinë shqiptare dhe kompaninë e Sinan Idrizit, me Afghanistan Airlines joint venture apo Sudan Turkish Airlines. Në këto raste, Erdogan ka ndërhyrë personalisht për nënshkrimin e marrëveshjeve, duke i prezantuar si “dhurata të miqësisë” ndërqeveritare.

Edi Rama në avionin “Ismaili”

“Ismaili” që është përdorur nga Edi Rama në mbi 150 fluturime ndërkombëtare duket se ishte “dhurata” e Erdogan për vëllain shqiptar, por me një kosto të madhe. Ai është një model “Airbus A319-132”, i cili ka një kapacitet prej 132 vendesh dhe është prodhim i vitit 2026. Vlera aktuale e tij në treg përllogaritet në afro 30 milionë euro.

Po përse do t’i bënte Erdogan vëllait të tij Edi Rama një dhuratë 30 milionë euroshe? Kush do ta paguante realisht këtë faturë? A është “Air Albania” nyja që lidh bizneset turke të përfshira në skandalet e aeroportit të Vlorës dhe Tunelit të Llogarasë?

Opozita në Shqipëri thotë se për afro 140 fluturime të kryera nga Rama me “Ismailin” deri në kohën kur fluturimet dolën në dokumentet e hakeruar nga iranianët, në vitin 2023, fatura ka arritur në 22 milionë euro. Por Rama e përdori edhe për më shumë se 1 vit e gjysmë “Ismailin” dhe duke iu referuar përllogaritjeve të opozitës, shpenzimet mund të arrijnë në mbi 30 milionë euro, një shifër kjo e përafërt me shumat që morën turqit e Erdoganit nga Aeroporti i Vlorës dhe Tuneli i Llogarasë.

LEXO EDHE: 7 mijë euro nga Tirana në Shkup, Rama mbërrin në aeroport me avionin charter 

Se sa është fatura reale e përdorimit të “Ismailit” nuk dihet. As kryeministria dhe as “Air Albania” nuk kanë publikuar deri tani kontratat, kostot apo marrëveshjet që përcaktojnë kushtet e përdorimit të këtij avioni. Kërkesat për transparencë nga Zoom.al, media të tjera si BIRN dhe nga deputetë të opozitës janë refuzuar nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, e cila menaxhon marrëveshjet e transportit ajror të qeverisë. “Air Albania” nuk i tregon bilancet e saj në QKB prej 5 vjetësh, në shkelje të çdo ligji e rregulli.

“Air Albania” u themelua në 2018 në të njëjtën kohë kur “MDM Ivestment” e Sinan Idrizit regjistroi si objekt aktiviteti edhe ndërtimin e menaxhimin e aeroporteve ndërkombëtare. Sinan Idrizi ka qenë një ndër personat që kanë promovuar idenë për ndërtimin e aeroportit të Vlorës që në fazat e para të projektit në fund të vitit 2017 dhe fillim të vitit 2018. Ishte kjo koha kur “Ismaili” iu vu në dispozicion kryeministrit Rama.

Një artikull i organizatës investigative OCCRP përmend Idrizi shihet në disa media si ndër aktorët kyç.

“Sinan Idrizi, një biznesmen shqiptar që ishte pjesë e negociatave fillestare të Ramës për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës në vitin 2017, tha se konsorciumi i parë turk që fitoi kontratën u tërhoq, sepse ndërtimi i pistës do të kishte qenë tepër i kushtueshëm… Idrizi, i cili pretendon se “e njeh Erdoganin prej 25 vitesh” i tha OCCRP-së se ai e krijoi kompaninë MDN me kërkesë të qeverisë shqiptare, në emër të linjës ajrore turke Atlas Global, e cila falimentoi në vitin 2020” – thuhet në artikullin e OCCRP.

Sinan Idrizi

SINAN IDRIZI – ERDOGAN

 Sinan Idrizi është një nga biznesmenët shqiptarë që ka pasur marrëdhënie të drejtpërdrejtë dhe të privilegjuar me Presidentin turk Erdogan, si përmes projektit “Air Albania” ashtu edhe përmes kontakteve të tjera. Në “Air Albania”, sipas disa burimeve në Turqi, përzgjedhja e Sinan Idrizit si partner lokal i “Turkish Airlines” nuk ishte rastësore, por rekomandim i bërë nga rrethi i afërt i Erdoganit.

Idrizi është parë disa herë në takime zyrtare dhe jozyrtare ku ka qenë i pranishëm edhe Erdogan, si ceremonia e inaugurimit të Air Albania, evente në Ankara dhe Stamboll lidhur me bashkëpunimin ekonomik Shqipëri–Turqi dhe në vizita joformale në Turqi gjatë viteve 2019–2021, përfshirë ngjarje sportive dhe biznesi. Erdogan dhe Rama e kanë përmendur publikisht Idrizin si “një biznesmen që bashkon dy kombet”.

Sinan Idrizi, Edi Rama, Recep Tayyip Erdogan

Në janar 2022 kur gjatë vizitës së Erdoganit në Shqipëri me rastin e inagurimit të spitalit “Memorial” në Fier, Idrizi ishte ndër të ftuarit kryesorë dhe shfaqej në krah të delegacionit turk. Deri tani nuk ka asnjë provë ligjore që lidh Sinan Idrizin me ndonjë aferë korruptive, por natyra e marrëdhënies së tij me Erdoganin dhe projektet strategjike që ka përfituar, e bëjnë atë një aktor kyç të ndikimit turk në Shqipëri.

SINAN IDRIZI – EDI RAMA

Lidhja e Edi Ramës me Sinan Idrizin është e afërt, edhe pse Rama përpiqet ta mbajë larg vëmendjes mediatike. Në raportime të ndryshme përmendet se Idrizi ka qenë në evente ku ka qenë edhe Rama ose delegacionet qeveritare shqiptare, përfshirë vizita me partnerë turq. Opozita flet për marrëdhënie personale dhe jo vetëm biznesi. Ata ishin së fundi së bashku në një takim me presidentin e Real Madrid, Florentino Perez, në Madrid, por Rama e hoqi Idrizin nga fotot që publikoi në rrjetet e tij sociale.

Sinan Idrizi, Florentino Perez, Edi Rama, Kreshnik Çipi

LEXO EDHE: Përdor avionin e “Air Albania” si charter privat, Rama merr këshilltare vajzën e pronarit Idrizi

Emri i Sinan Idrizit doli në skenë edhe në koncesionin e markimit të karburanteve. Ky koncesion ishte fituar nga kompania “GFI Albania”, por më 16 shkurt të vitit 2022 ajo ndryshoi pronar dhe kaloi nga Ismail Mulleti tek turkja Nerve Korkmaz, e cila ka qenë konsulle nderi e Shqipërisë në Turqi dhe është antare bordi në kompaninë “TRK Group”. Ajo njihet si njeri i afërt i Sinan Idrizit që nga koha kur Idrizi ishte ishte president i Flamurtarit. Në foton e mëposhtme Nerve Korkmaz shfaqet në stadiumin e Flamurtarit.

Nerve Korkmaz, foto në stadiumin e Flamurtarit në Vlorë

Biznesmeni turk Adnan Polat, pronar i skuadrës së Gallatasarajit, ekspozoi në një padi synimet e Idrizit për të blerë kompaninë e markimit të karburanteve kur tha se Idrizi i i kishte marrë një shumë prej 3.5 milionë eurosh përmes mashtrimit. Në aktakuzë, Adnan Polat tregoi se bashkë me Sinan İdrizin shkuan në Shqipëri në 3 nëntor 2016 dhe e diskutuan çështjen me kryeministrin shqiptar Edi Rama, nga i cili morën pëlqimin e Ramës.

Polat duket se është turku i vetëm që nuk përfitoi nga marrëdhëniet e tij me Shqipërinë.

Por historia e Aeroportit të Vlorës, Tunelit të Llogarasë, “Air Albania -s” dhe përdorimit të avionit “Ismaili” nga Edi Rama po shfaqet si një zinxhir interesash që lidh Tiranën, Vlorën dhe Ankaranë. Në qendër të saj, siç rezulton të dhënat e mësipërme, qëndrojnë dy emra, Edi Rama dhe Recep Tayyip Erdogan, me instrument lidhës Sinan Idrizin.

Të tjerë si Pacolli, Hyseni, Ademi, Gjoka, Balluku e me radhë ngjajnë si idiotë të dobishëm në pagesat e majme prej miliona eurosh që kalojnë nga Shqipëria në Turqi.

FAKTE

  • Behgjet Pacolli pagoi rreth 3 milionë euro për të blerë aksionet e partnerëve turq të YDA Group në aeroportin e Vlorës — kompani e lidhur ngushtë me Erdoganin.
  • Kompania turke ASL İnşaat, fituese e Tunelit të Llogarasë me 172 milionë euro, drejtohet nga një ish-deputet i AKP-së, mik personal i Erdoganit dhe fitoi 32 milionë euro pa kryer asnjë punë vetë dhe pa sjellë asnjë mjet pune në Shqipëri.
  • “Air Albania”, e krijuar në 2018 me Turkish Airlines dhe MDN Investment të Sinan Idrizit, ka vënë në dispozicion avionin “Ismaili” për udhëtimet e Ramës, që sipas opozitës kanë kushtuar mbi 22–30 milionë euro.

Në total, 35 milionë eurot që kanë kaluar në Turqi përmes projekteve të Vlorës dhe Llogarasë përputhen thuajse me koston e përdorimit të avionit “Ismaili”, çka ngre dyshime për një skemë pagesash indirekte, ku bizneset e lidhura me Turqinë dhe me rrethin e Erdoganit kompensohen përmes kontratave publike në Shqipëri.

As qeveria, as Air Albania nuk i kanë publikuar dokumentet financiare përkatëse dhe kjo fshehje e kontratave e kthen çështjen në një pistë të vlefshme për hetim nga SPAK, për të parë nëse pas këtyre kontratave qëndron një rrjet politik e ekonomik që lidh Tiranën me Ankaranë. Gjurmët e këtyre lidhjeve do të duhet të ndiqen edhe në Turqi, ku këto skandaleqë kanë përfshirë politikën në Shqipëri mund të marri përmasa shumë herë më të mëdha. /Zoom.al

Postime të lidhura