Aplikacion
Hetimet e SPAK për organizatën kriminale, të njohur si “Grupi i Arubas”, kanë zbardhur planet e Artur Shehut, Adrian dhe Erjon Ramës, Afredo Hamzait, Besnik Myftarit, Ardian Zykajt dhe disa personave të tjerë për të ndërtuar një pallat në fushën në krah të stadiumit kombëtar “Air Albania”, të njohur si ish -aneksi i stadiumit “Qemal Stafa”.
Kjo tokë, të cilës ata i referohen si “toka të juvenilja”, sipas dosjes së SPAK, që Zoom.al ka mundur ta shohë, ka kaluar disa pronësi në formë dhurimi, ku rezulton të jetë i përfshirë edhe Eldi Dizdari, një prej kapove të trafikut ndërkombëtar të drogës, që jeton në Dubai, i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme.
Në një pjesë të përgjimeve, shtetasit Ardian Zykaj dhe Alfredo Hamzai diskutojnë se që ta marrin një pjesë të tokës nga Adrian Rama, pronar i lokalit të njohur në zonën e ish -bllokut, “Capriccio”, pasi miku i tyre Besnik Myftari, që ata i referohen si “Beso”, ka marrë garanci nga Rama se aty do të ndërtohet.
Rama, sipas dosjes së SPAK nuk është asnjë nga vëllezërit Rama që janë pjesë e grupit, pasi ata u referohen atyre si “ata të Capriccios”.
Në komunikimet SkyEcc të Alfred Hamzai dhe Ardian Zykaj rezulton se, ata komunikojnë në lidhje me blerjen e tokës tek “juvenilja” në një sipërfaqe prej 300 m2 kundrejt 100,000 mijë eurove.
Hamzai i shkruan Zykajt: “Dhe një gjë. Ajo toka te Juvenilja… kanë bërë gati kontratën, do kalojnë 150 m2 në emrin tim dhe duan edhe një 50she. Dhe mbasi të mbarojë kjo, do të bëjnë prapë të njëjtën gjë për 150 të tjerë në total 300 për 100 evro. Dhe ia vlen se fiton të paktën 2 mililjon evro. Atje tha Besua do bëhet pallat. 150 m2 tokë te Juvenilja bëjnë 50 evro dhe e kalojnë në emrin tim, gati e kanë për firmë vetëm. Po Besua ma siguroj që do të ndërtohet aty, se i tha Rama. Dhe toka aty vlen se fiton në ndërtim shumë fare. Hedh 100 mijë euro në blerje toke dhe fiton 2 milion euro në ndërtim.”
Por nxjerrja e lejes së ndërtimit për këtë tokë është penguar nga një tjetër hetim i SPAK ndaj Denis Matoshit, i njohur si Eldi Dizdari. Pjesa që i takonte Dizdarit, që ai e kishte përfituar me anë të dhurimit, është sekuestruar nga Prokuroria e Posaçme, e cila kishte dërguar edhe kërkesë për konfiskim. Më vonë kjo tokë u shpronësua për t’u ndërtuar “Shkolla e Biçikletave”.
Për zbardhjen e veprimtarisë së grupit kriminal, që dyshohet se drejtohet nga Artur Shehu, janë siguruar të dhëna nga autoritetet spanjolle dhe ato belge, që kanë pasur hetime për klanin Osmani dhe për Hamzain. Sipas hetimeve të ndërkombëtarëve, anëtarët e këtij grupi kanë kryer takime me njëri – tjetrin jashtë shtetit, në Spanjë, Francë, Gjermani, Belgjikë dhe Aruba. Përgjimet kanë zbuluar se “ata kanë komunikuar edhe në lidhje me takime me funksionarë të lartë shtetërore”. Grupi, sipas SPAK përbëhej nga Artur Shehu, Adrian Rama, Ardian Zykaj, Alfredo Hamzai, Erjon Rama, Leonard Bishaj, Arben Ismailaj. /Zoom.al