Aplikacion
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka komentuar vendimin e fundit të Parlamentit Europian lidhur me Shqipërinë, ku u përfshi edhe një qëndrim për ligjin e zonave të mbrojtura.
Sipas tij, votimi në Parlamentin Europian tregon një linjë të përbashkët mes institucioneve europiane dhe qytetarëve shqiptarë që kanë protestuar kundër ndryshimeve në këtë ligj. Bardhi theksoi se kërkesa për shfuqizimin e dispozitave të ndryshuara është në përputhje me rekomandimet e hershme të Komisionit Europian dhe me kriteret e kapitullit të negociatave për mjedisin.
Ai ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po injoron sinjalet që vijnë nga Brukseli dhe se nuk po merr parasysh shqetësimet e ngritura për ligjin në fjalë. Sipas Bardhit, qeveria duhet të veprojë dhe të tërheqë ndryshimet e miratuara, të cilat opozita i konsideron të dëmshme për zonat e mbrojtura në vend.
Ai shtoi gjithashtu se një propozim ligjor për shfuqizimin e këtyre ndryshimeve është depozituar më herët në Kuvend dhe pret shqyrtimin e deputetëve.
Postimi i Bardhit:
🇪🇺🇦🇱 Parlamenti Evropian flet me një zë të unifikuar me qytetarët shqiptarë që protestojnë prej ditësh: të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura, në përputhje me kërkesën e kahershme të Komisionit dhe Parlamentit Evropian, si dhe me kriteret përmbyllëse të Kapitullit 27.
Por Edi Rama, që duket se ka humbur edhe sensin e të kuptuarit, bën sikur nuk di të lexojë.
Amendamenti shtesë i miratuar sot nga Parlamenti Evropian në Raportin për Shqipërinë:
✅ shpreh shqetësim serioz se zhvillimet e vazhdueshme brenda zonës së mbrojtur Vjosa-Nartë tregojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve ligjore dhe rreziqet që ato sjellin për zonat me vlera të njohura ekologjike;
✅ shpreh se po ndjek nga afër protestat masive paqësore që po zhvillohen në këtë drejtim;
✅ u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të pajisjes me leje, punimet ndërtimore dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, derisa të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura, në përputhje me kërkesën e kahershme të Komisionit dhe Parlamentit Evropian, si dhe me kriteret përmbyllëse të Kapitullit 27, dhe derisa të sigurohet përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës; dhe
✅ thekson se çdo projekt në këtë zonë duhet t’i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis, plotësisht në përputhje me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile.
Tani Edi Rama ka vetëm një detyrë: të dëgjojë zërin e eurodeputetëve dhe të shfuqizojë ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura. Projektligji është depozituar prej nesh në Kuvend prej një muaji dhe pret votën e deputetëve./ Zoom.al