zoom

Lajme

Tabaku i përgjigjet Ramës: Po dezinformon, amendamenti i PE kërkon moratorium në zonat e mbrojtura

Tabaku i përgjigjet Ramës: Po dezinformon, amendamenti i PE kërkon moratorium në zonat e mbrojtura

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas miratimit në Parlamentin Europian të amendamentit që lidhet me mbrojtjen e zonave natyrore në Shqipëri, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për keqinterpretim të përmbajtjes së dokumentit të miratuar nga eurodeputetët.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Tabaku kundërshtoi deklaratat e kreut të qeverisë, i cili pas votimit në Parlamentin Europian tha se institucioni europian kishte ndarë faktet nga, sipas tij, dezinformimi që është përhapur lidhur me projektet zhvillimore në zonën e Vjosë-Nartës dhe Zvërnecit.

Sipas deputetes demokrate, amendamenti i miratuar nga Parlamenti Europian përmban kërkesa të qarta për pezullimin e procedurave të reja të lejeve dhe ndërhyrjeve në zonat e mbrojtura. Ajo theksoi se dokumenti kërkon vendosjen e një moratoriumi të menjëhershëm deri në rishikimin e dispozitave ligjore që kanë ndryshuar statusin e këtyre zonave.

Tabaku argumentoi se shqetësimet e ngritura nga eurodeputetët lidhen drejtpërdrejt me ndryshimet e bëra në ligjin për zonat e mbrojtura gjatë vitit 2024. Sipas saj, këto ndryshime kanë krijuar mundësi për zhvillime dhe investime në territore me rëndësi të veçantë mjedisore, duke nxitur debat dhe kundërshti nga organizatat e shoqërisë civile dhe grupet ambientaliste.

Reagimi i plotë:

Disinformuesi më i madh opinionit publik në Shqipëri foli përsëri!

Euforia e atyre që kanë ngritur një sistem në shërbim të pakicës dhe jo të interesit publik nuk mund të fshehë të vërtetën.

Një nga mekanizmat përmes të cilëve u ndërtua ky sistem ishte ndryshimi i ligjit për zonat e mbrojtura në vitin 2024. Përmes këtyre ndryshimeve u hap rruga që prona dhe troje me vlerë të jashtëzakonshme të kalonin në duart e interesave të ngushta, ndërsa sot disa prej përfituesve të kësaj skeme janë nën hetim nga SPAK.

Pikërisht për këtë arsye, amendamentet e Parlamentit Europian kërkojnë rikthimin e kuadrit ligjor përpara ndryshimeve të vitit 2024. Njësoj siç kërkojnë heqjen e ligjit të investimeve strategjike, një ligj që është shndërruar në simbol të trajtimit preferencial, privilegjeve dhe kapjes së shtetit nga interesa të veçanta.

Shqipëria mund të bëhet pjesë e Europës vetëm duke çmontuar sistemin e pakicës që punon për një grusht njerëzish dhe që ka dëmtuar ekonominë, konkurrencën dhe besimin te shteti. Kjo kërkon reforma të thella, institucione të forta dhe barazi para ligjit.

Ata që ndërtuan arkitekturën e shtetit të kapur nuk mund të jenë ata që do të ndërtojnë Shqipërinë europiane./ Zoom.al

Postime të lidhura