zoom

Lajme

Rama reagon pas raportit të PE: Ndau shapin nga sheqeri

Rama reagon pas raportit të PE: Ndau shapin nga sheqeri

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas miratimit të raportit vjetor për Shqipërinë në Parlamentin Europian, duke e konsideruar votimin si një konfirmim të mbështetjes që institucionet europiane vazhdojnë t’i japin procesit të integrimit të vendit.

Raporti për Shqipërinë u miratua me një shumicë të gjerë votash në seancën plenare të Parlamentit Europian, duke evidentuar progresin e bërë në kuadër të reformave dhe negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Rama u ndal veçanërisht te debati i zhvilluar së fundmi për zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës. Sipas tij, votimi në Parlamentin Europian tregoi qartë dallimin mes fakteve dhe, siç e cilësoi ai, fushatave të dezinformimit që kanë shoqëruar diskutimet për projektet zhvillimore në atë zonë.

Kreu i qeverisë theksoi se amendamentet që lidhnin rezolutën me projektin në Vjosë-Nartë nuk morën mbështetjen e nevojshme nga eurodeputetët, duke argumentuar se ato nuk kishin lidhje të drejtpërdrejtë me zhvillimet e planifikuara në zonë.

Rama nënvizoi se Shqipëria vazhdon të vlerësohet pozitivisht nga institucionet europiane dhe se mbështetja për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian mbetet e fortë. Ai shtoi se mbrojtja e biodiversitetit dhe e zonave natyrore do të ecë paralelisht me zhvillimin ekonomik, duke respektuar standardet dhe legjislacionin europian.

Sipas kryeministrit, çdo projekt që do të realizohet në zonën e Zvërnecit do t’i nënshtrohet procedurave të vlerësimit të ndikimit në mjedis, në përputhje me kriteret e Bashkimit Europian.

“Ja edhe PARLAMENTI EUROPIAN e ndau “shapin” e stuhisë digjitale të dizinformimit nga “sheqeri” i zonës së mbrojtur Vjosë – Nartë, e cila nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin që europarlamentarët e rrëzuar me votën e shumicës dërrmuese, futën qorrazi si amendament të Rezolutës për Shqipërinë.

Tani o është çmendur dhe korruptuar krejt Europa, që përmes Parlamentit të saj e vlerëson lart Shqipërinë dhe nxit anëtarësimin tonë sa më parë në BE, o ka diçka që nuk shkon me ata që e nisën protestën e javëve të fundit me mbrojtjen e flamengove dhe po e bitisin si luftë për pushtet në emër të flamengove!

Në çdo rast flamengot do të mbrohen, Vjosë-Narta do të mbrohet, Zvërneci do të zhvillohet bazuar në një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis sipas standarteve të Bashkimit Europian dhe ne do të vazhdojmë ta ngjisim Shqipërinë në majën ku ndodhet shtëpia e Europës së Bashkuar”, shkruan Rama.

Parlamenti Europian i kërkoi Shqipërisë të vendosë moratorium për procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore në zonat e mbrojtura.

Kërkesa është pjesë e amendamentit 17 që iu shtua pikës 46 të rezolutës, i cili u miratua këtë të mërkurë gjatë votimit të raportit vjetor për Shqipërinë në Parlamentin Europian./ Zoom.al

Postime të lidhura