zoom

Aktualitet

Vila në Dhërmi, “zbërthehet” telefoni i vartëses së Ballukut: Zemër po të dërgoj fotot e Belës për shtëpinë, puucc

Vila në Dhërmi, “zbërthehet” telefoni i vartëses së Ballukut: Zemër po të dërgoj fotot e Belës për shtëpinë, puucc

Detaje të reja kanë dalë nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme lidhur me një vilë në kompleksin rezidencial “White Rocks” në Dhërmi, e cila sipas dyshimeve të ngritura nga organi i akuzës lidhet me ish-zv.kryeministren Belinda Balluku.

Në qendër të hetimeve është një telefon celular i sekuestruar nga Byroja Kombëtare e Hetimit, që i përkiste Viola Haxhiademit, zyrtare e lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Nga “zbërthimi” i pajisjes janë zbuluar komunikime elektronike që sipas hetuesve hedhin dritë mbi marrëdhëniet dhe lëvizjet që lidhen me pronat në kompleksin luksoz në bregdet.

Sipas materialeve hetimore të bëra publike nga gazetari Elton Qyno, në një e-mail të shkëmbyer mes Viola Haxhiademit dhe motrës së saj në vitin 2018, përmenden dy vila në kompleksin “White Rocks”, ku njëra prej tyre identifikohet si pronë e lidhur me Belinda Ballukun. Në mesazh përshkruhet gjendja e ndërtimit të objektit dhe bëhen krahasime mes njësive të banimit që zotëronin palët e përfshira në komunikim.

Hetuesit kanë verifikuar se vila e përmendur nga motrat Haxhiademi rezulton e regjistruar në emër të nënës së tyre, ndërsa komunikimet elektronike konsiderohen nga SPAK si elemente që ndihmojnë në zbardhjen e skemës së pronësisë dhe përdorimit të pasurive në kompleks.

E-mail-i ka përmbajtjen si më poshtë vijon:

“…zemër, po të dërgoj fotot e Belës, që të kuptosh në ç’fazë është shtëpia. Të kam dërguar dhe planin e projektit, për të parë për cilën bëhet fjalë. Bela, ka F-5 ndërsa ne kemi F-6. Po të shikosh në foton që kam bërë më afër me vilat ka vizatuar dhe ku do behet pishina. Më pëlqen shumë. Рuuuuссссс”.

Nga hetimi ka rezultuar se adresa e postës elektronike “[email protected]” është njëra nga adresat e postës elektronike të shtetases Viola Haxhiademi.

Gjithashtu, rezulton se shtetasja Vioala Haxhiademi ka motër Dorela Haxhiademi. Komunikimet e mësipërme bëjnë fjalë për dy njësi banimi në kompleksin “White Rocks”, Drimadhes, Gjilek, Dhërmi, të ndërtuar nga shoqëria “Eurocol”.

Sipas dosjes hetimore, ekzistojnë dyshime se një nga vilat mund të jetë përdorur si formë përfitimi e parregullt në këmbim të favorizimeve të pretenduara në procedura prokurimi të zhvilluara nga Albcontrol gjatë periudhës kur institucioni drejtohej nga Belinda Balluku.

Prokuroria po heton gjithashtu disa procedura tenderuese që lidhen me rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol. Sipas akuzës, gjatë procesit janë krijuar avantazhe për operatorë të caktuar ekonomikë, duke ngritur dyshime për shkelje të rregullave të prokurimit publik.

Në dokumentet e administruara nga hetuesit përmenden kontrata porosie për vila në kompleksin “White Rocks”, pagesa të pjesshme, si dhe marrëdhënie kontraktore mes biznesmenëve të përfshirë në projekt dhe personave të tjerë të lidhur me çështjen.

Pjesë nga dosja e publikuar nga Elton Qyno:

Grupi i hetimit pranë SPAK, e lidh marrjen e njërës prej vilave aty ku banon Belinda Balluku, si një veprim korruptiv dhe pastrim parash, që lidhet me një procedurë favorizimi të dy tenderave që janë zhvilluar në vitin 2018 në Drejtorinë e Përgjithshme të “Albcontrol”, që në atë kohë drejtohej nga Belinda Balluku.

Sipas hetimit të SPAK qëllimi ka qenë “Rikonstruksioni i godinës teknologjike të “AlbControl” për përmirësimin e kushteve”. Me urdhër të Belinda Ballukut në muajin Tetor 2014 është kontraktuar studio “Atelier 4” e Altin Premti, për studimin e projektit të godinës.

SPAK, pretendon se gjithçka ka qenë e paracaktuar pasi 1 muaj më pas, në 5 nëntor 2014, biznesmeni Fejzi Kodra i dërgon sms biznesmenit tjetër Pandeli Carapuli, duke i thënë: “…Atelier 4, dërgoi preventivin e thotë që jemi në pritje të konfirmimit tuaj para se ta dërgojë tek “AlbControl…”.

Ndërkohë vetëm 1 ditë pas këtij mesazhi, në datën 6 nëntor 2016, Pandeli Carapuli, i dërgon mesazh Fejzi Kodrës duke i thënë:

[email protected]“ dhe Fejzi Kodra, ia kthen mesazhin: “Ia dërgova.

Ndërkohë në datën 11 nëntor 2014, ora 10:57, biznesmeni Fejzi Kodra i dërgon sms biznesmenit Pandeli Carapuli si më poshtë vijon:

“…për dijeni, akoma s’ka dalë gjë tek web i APP…”.

Nga ana tjetër në orën 11:27, Pandeli Carapuli i shkruan: “…shiko u shpall ky i fundit. I madh…”.

Në orën 11:39, Fejzi Kodra i shkruan Carapulit duke i thënë: “Mban datën e djeshme shpallur: “Rikonstruksion i godinës teknologjike të AlbControll”.

Kurse në orën 11:39, shtetasi Pandeli Carapuli i shkruan Kodrës: “…Ok të fillojmë përgatitjet”.

Nga aktet e administruara në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt: “Rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve”, sipas organit të akuzës rezulton se Belinda Balluku, nën cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të “Albcontrol” sh.a, në bashkëpunim me anëtarët e Njësisë së Prokurimit, shtetasit Silvana Piciri, Egmont Ngjela, Viola Haxhiademi, Anila Malaj, si dhe shtetasin Evis Berberi, Kryetar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, njëkohësisht Shef i Sektorit të Prokurimeve në Albcontrol, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin “Për rregullat e prokurimit publik”.

Belinda Balluku, nën cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, “Albcontrol” sh.a, me detyrën e Drejtoreshës së Përgjithshme të “Albcontrol” sh.a, në bashkëpunim me anëtarët e Njësisë së Prokurimit, shtetasit Silvana Piciri, Egmont Ngjela dhe Anila Malaj, si dhe kryetarin e komisionit të vlerësimit të ofertave, shtetasin Evis Berberi, me detyrën e Shefit të Sektorit të Prokurimeve në “Albcontrol”, sh.a, kanë paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje për shoqërinë fituese “Eurocol”, duke siguruar në mënyrë të tërthortë vlerën e përfitimit të parregullt të dhënë nga administratori i shoqërisë “Eurocol”, Pandeli Carapuli, që konsiston në pasurinë, Vila F6, me vendndodhje, Kompleksi “White Rocks”, Dhërmi.

Fakti që kjo pasuri, (Vila F-6), është në posedim të Belinda Balluku, provohet nga rrethanat e dala gjatë hetimeve, si dhe provat e administruara deri në këtë fazë të hetimeve paraprake të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, si më poshtë vijon:

Me kontratën e porosisë nr.178 e datës 22 shkurt 2018, lidhur midis Eva Kjaer nën cilësinë e porositësit dhe shoqërisë “Eurocol” sh.p.k (e përfaqësuar nga administratori Pandeli Carapuli) nën cilësinë e sipërmarrësit, porositet vila individuale dy-katëshe tip Gardenia me nr. G-13.

Çmimi i plotë i vilës G-13 është 125,000 Euro (ku ndërtesa është në vlerën 1,200 Euro/m², veranda në vlerën 600 Euro/m² dhe trualli 100 Euro/m²).

Në kontratë është përcaktuar se parcela e rrethuar në dispozicion të vilës është jo më pak se 100 m², ku brenda sipërfaqes së parcelës vila ka sipërfaqen 88.6 m², vila ka edhe verandën prej 18.6 m², vendi i parkimit ndodhet brenda sipërfaqes së parcelës.

Afati për përfundimin e punimeve është përcaktuar muaji mars i vitit 2018. Ndërkohë me kontratën e porosisë nr.107 të datës 24 janar 2019, lidhur midis, Eleni Haxhiademit, nën cilësinë e porositësit dhe shoqërisë “Eurocol” e përfaqësuar në këtë rast nga administratori Pandeli Carapuli nën cilësinë e sipërmarrësit, porositet vila individuale dy-katëshe tip “Begonia” me nr. F-6.

Çmimi i plotë i vilës F-6 është 165,000 Euro.

Në kontratë është përcaktuar se parcela e rrethuar në dispozicion të vilës është jo më pak se 300 m², ku brenda sipërfaqes së parcelës vila ka sipërfaqen 103 m², vila ka edhe verandën prej 34 m², vendi i parkimit ndodhet brenda sipërfaqes së parcelës.

Afati për përfundimin e punimeve është përcaktuar muaji shkurti i vitit 2019. Nga hetimi ka rezultuar se me kontratën e porosisë nr. 1059 të datës 5 dhjetor 2018, të lidhur midis Igli Tare, nën cilësinë e porositësit dhe shoqërisë “Eurocol” e përfaqësuar nga administratori Pandeli Carapuli, nën cilësinë e sipërmarrësit, porositet vila individuale dy-katëshe tip Begonia me nr. F-6.

Çmimi i plotë i vilës F-6 është 145,000 Euro.

Në kontratë është përcaktuar se parcela e rrethuar në dispozicion të vilës është jo më pak se 300 m², ku brenda sipërfaqes së parcelës vila ka sipërfaqen 103 m², vila ka edhe verandën prej 34 m², vendi i parkimit ndodhet brenda sipërfaqes së parcelës.

Afati për përfundimin e punimeve është përcaktuar dhjetori i vitit 2018. Në lidhje me kontratën e porosisë së mësipëme, për vilën F-6, rezulton se janë paguar vetëm 70,000 Euro në datën 17 dhjetor 2018 nga Agron Tare, vëllai i ish-futbollistit, Igli Tare. Ndërsa pjesa tjetër prej 75.000 Euro ende nuk është paguar.

Sipas dosjes së SPAK, Vila F-6 vijon të jetë në pronësi të kompanisë “Eurocol” të biznesmenit, Pandeli Carapuli.

Postime të lidhura