zoom

Lajme

Sekuestrimi i vilës së Ballukut, Berisha: Çështja e saj s’do mbyllet kurrë! Zvërneci? Mbështesim protestën

Sekuestrimi i vilës së Ballukut, Berisha: Çështja e saj s’do mbyllet kurrë! Zvërneci? Mbështesim protestën


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot (5 qershor) nga konferenca për gazetarët se çështja e Belinda Ballukut nuk do të mbyllet kurrë, edhe pse kryeministri Edi Rama i bën avokatin ish-vartëses së tij.

Reagimi erdhi pas pyetjeve që iu bënë në lidhje me sekuestrimin që SPAK i bëri vilës në Dhërmi të dyshuar në pronësi të ish-zv/kryeministres.

Berisha foli edhe për protestën masive të qytetarëve për Zvërnecin, ku deklaroi mbështetjen ndaj saj, por shtoi se PD nuk merr pjesë në proces.

Berisha akuzoi Ramën edhe për skandalin e AKSHI-t, duke nënvizuar se “Mirlinda e gjorë vodhi miliona euro”.

“Çështjen Balluku-Rama në raport me SPAK e ka mbyllur përfundimisht, por në raport me opozitën nuk do e mbyllë kurrë. Ajo është një çështje që nuk mbyllet kurrë. AKSHI është hetim i pashpresë. Edi Rama ka marrë përsipër avokatinë publike të hapur ndaj AKSHI-t. Ju mos harroni përgjërimet e tij për Mirlindën e gjorë që ka vjedhur dhjetëra mln euro të qytetarëve. Mos harroni, kocka më fuqishme mafioze e Shqipërisë dhe europës Gys Agasi, i ati i tij shpallet fisniku i PS në Durrës, nderohet. Ishte dhe ndrikulla Sako në dekorim dhe ishte mesazh për Prokurorinë që mos guxoni të vazhdoni hetimet”, tha ai mes të tjerash për çështjen Balluku dhe AKSHI.

Kurse në lidhje me protestën e qytetarëve ndaj shkatërrimit që po i bëhet zonës së mbrojtur të Zvërnecit me projektin e ri të qeverisë, ai tha:

“Qëndrimi ynë është mbështetje për të drejtën e çdo qytetari për çdo protestë. Ajo protestë nuk është e thirrur nga PD dhe nuk ka asnjë thirrje që të mbështetet nga PD. Qëndrimi ynë është respektim i plotë i protestës dhe nuk mund të marrim përsipër asnjë hap që mund të krijojë deklaratë të çfarëdo lloji. Kemi theksuar se qytetarë të lirë kanë të drejtën të protestojnë për çdo gjë që e gjykojnë të arsyeshme. PD ka agjendën e saj të protestave dhe kur ajo thërret në protestë është e hapur për të gjithë ata që duan të angazhohen”, u shpreh kryedemokrati.

Postime të lidhura