Aplikacion
Kryetari i PD-së, Sali Berisha deklaroi se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian është dëmtuar rëndë, duke akuzuar si përgjegjës kryesorë kryeministrin Edi Rama. Ai tha se shkaktarë janë dosja e Belinda Ballukut dhe “Lindat” e Ramës.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, Berisha theksoi se Partia Demokratike mbështet plotësisht integrimin evropian të vendit, sidomos për shkak të rëndësisë gjeopolitike që ka orientimi i Shqipërisë drejt familjes evropiane.
Sipas tij, procesi i negociatave me BE-në është komplikuar për shkak të akuzave për korrupsion dhe keqqeverisje. Berisha pretendoi se raporti për Shqipërinë është ndryshuar disa herë dhe se disa shtete anëtare të BE-së kanë shtuar rezerva dhe kërkesa të reja ndaj qeverisë shqiptare.
Ai u shpreh se konferenca ndërqeveritare, e parashikuar fillimisht për në mars dhe më pas në prill, nuk u zhvillua për shkak të situatës së krijuar. Berisha shtoi se PD do të vazhdojë të denoncojë problematikat që, sipas saj, pengojnë integrimin e vendit dhe do të mbështesë çdo përpjekje për përmbushjen e kritereve të BE-së.
Në përfundim, kreu i PD-së përsëriti akuzat ndaj qeverisë dhe zyrtarëve që ai i konsideron përgjegjës për dëmtimin e procesit integrues të Shqipërisë.
“Kriteri gjeopolitik është një kriter natyror, i cili ka të bëjë me përcaktimin e përkatësisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve në sferat e influencës dhe ne nuk mundet kurrë të mos e mbështesim, ne mbështesim fuqishëm vendosjen e Shqipërisë aty ku e ka vendin, në familjen evropiane’, theksoi Berisha në fjalën e tij.
Tani, siç e kanë mësuar shqiptarët, procesi i integrimit të Shqipërisë në BE është plagosur rëndë.
Si mund ta quajmë, është plagosur rëndë nga vjedhjet e Edi Ramës, Lubi Ballukut, Lindat e AKSHI-t dhe akte të tjera.
Ka ndodhur ajo që nuk është parë ndonjëherë, është ndërruar raporti dy herë, është pasuruar raporti dhe janë shtuar kërkesa thelbësore nga një seri vendesh, anëtare të BE.
Është bërë shumë e qartë se Edi Rama dhe Lubi Balluku janë një.
Dhe, ose votohet përfundimisht për të kaluar në këshillin e ambasadorëve, organ politik ky, vendimi i COELA-s, ose janë nja dy vende që kanë rezerva dhe që pritet që edhe ato të shtojnë në raport rezervat e tyre, në mënyrë që ky raport për Shqipërinë, i plotësuar dhe i transformuar plotësisht me situatën në vend, të votohet në këshillin e ambasadorëve dhe më vonë thirret konferenca ndërqeveritare, e cila duhej të ishte mbajtur që në mars, më vonë në prill, por nuk u mbajt.
Sidoqoftë, dy gjëra duhet t’i ketë të qartë çdo shqiptar.
Së pari, PD në mënyrë të vazhdueshme ka mbrojtur të vërtetat e realitetit shqiptar dhe i ka paraqitur ato para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar.
Kjo parti do e bëjë këtë me çdo çmim, me çdo kusht dhe nuk do heshtë kurrë nga kjo.
Së dyti, PD mbështet plotësisht procesin e integrimit, qoftë vetëm për shkak të kriterit gjeopolitik.
Kriteri gjeopolitik është një kriter natyror, i cili ka të bëjë me përcaktimin e përkatësisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve në sferat e influencës dhe ne nuk mundet kurrë të mos e mbështesim, ne mbështesim fuqishëm vendosjen e Shqipërisë aty ku e ka vendin, në familjen evropiane.
Duke thënë këtë, regjimi i Edi Ramës nuk plotëson asnjë kriter tjetër përveç atij gjeopolitik.
Duke thënë këtë, zotohemi se do bëjmë gjithçka kemi në dorë, do luftojmë me të gjitha mjetet që mundemi, që kriteret të arrihen ose të punohet për kriteret.
Aq sa ka një opozitë në dorë.
Pra, ky është qëndrimi i PD, por ua them këtu se procesi është i plagosur nga Lubi Balluku, Edi Rama, nga Lindat dhe pastaj nga Ergysi. Se dy Lindat janë ndër eksponentët kryesore të AKSHI-t në Shqipëri dhe Evropë.