zoom

Aktualitet

“Ka 3 predha në trup”- Atentati ndaj Thimjo Rubatit, gazetari Artan Hoxha: Autorët u larguan me skaf! Sulm i organizuar me kosto të lartë

“Ka 3 predha në trup”- Atentati ndaj Thimjo Rubatit, gazetari Artan Hoxha: Autorët u larguan me skaf! Sulm i organizuar me kosto të lartë

Gazetari Artan Hoxha ka folur për atentatin ndaj Thimjo Rubatit në Sarandë, duke dhënë detaje mbi mënyrën se si dyshohet se është organizuar sulmi dhe largimi i autorëve.

Ai u shpreh se autorët e atentatit ende nuk janë identifikuar, ndërsa mënyra e arratisjes me skaf tregon, sipas tij, një nivel të lartë organizimi, duke shtuar se Saranda është kthyer në një zonë të nxehtë sa i takon ngjarjeve kriminale dhe se, për shkak të fluksit të madh të turistëve gjatë sezonit veror, autorët e kanë pasur të vështirë largimin nëpërmjet rrugëve tokësore.

“E kanë bërë atentatin, motorin e kanë lënë në anë të detit dhe kanë ikur me skaf. Është një mënyrë largimi e sofistikuar. Saranda është plot tani dhe nuk ke ku ikën, prandaj kanë zgjedhur rrugën e detit”, tha Hoxha në emisionin “Të Paekspozuarit”.

Sipas gazetarit, bëhet fjalë për një atentat me kosto të lartë, që nuk mund të realizohet nga kushdo.

“Edhe projekti për Smart City i qeverisë nuk e kap dot këtë lloj atentati”, u shpreh ai, duke iu referuar mënyrës së organizimit dhe largimit të autorëve.

Duke folur për gjendjen shëndetësore të Thimjo Rubatit, Hoxha tha se ai është dërguar për trajtim në Janinë, ku ka marrë tre predha në trup, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Është atentat me kosto të lartë, që nuk e përballon dot kushdo. Saranda është full tani dhe nuk ke ku ikën, prandaj kanë ikur me skaf. I plagosuri është dërguar në Janinë, ka tre predha në trup, është jashtë rrezikut për jetën”, u shpreh ai.

Gazetari përmendi edhe një konflikt të ndodhur një ditë para atentatit, ku sipas tij, djali i Rubatit është përplasur fizikisht me një efektiv të Komisariatit të Sarandës. Megjithatë, Hoxha tha se kjo ngjarje nuk besohet të ketë lidhje me atentatin dhe se hetimet duhet të fokusohen te e kaluara e Rubatit. Sipas tij, Rubati ka një histori të mëparshme kriminale që daton prej vitit 2002.

Ai shtoi se policia ende nuk ka arritur të përcaktojë zanafillën e konfliktit që çoi në atentat, ndërsa theksoi se i plagosuri duhet të bashkëpunojë me autoritetet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

“Një ditë përpara i biri është konfliktuar me një polic të komisariatin e Sarandës dhe e ka rrahur, por ngjarja nuk besohet se ka lidhje me këtë por me të kaluarën e Rubatit. Ka një skedë, plot e ka. Ka filluar në 2002, trafik qeniesh njerëzore, përdhunim të miturish, kontrabandë, trafik klandestinësh. Ka qenë i arrestuar për rrëmbimin e një vajze 13 vjeç. Policia nuk ka arritur të identifikojë zanafillën e këtij konflikti.  

Tani ai duhet të bashkëpunojë me policinë. Përsëritja e këtyre atentateve në zona si Sarandë dhe Memaliaj… Është shumë i vogël Memaliaj për të ndodhur kaq shumë vrasje. Janë çështje që nisin për trafike”, deklaroi Hoxha.

Postime të lidhura