Aplikacion
Hetimet për atentatin në Elbasan mbrëmjen e së hënës në lagjen “Vullnetari”, të njohur edhe si zona “Banesat”, kanë marrë tjetër rrjedhë. Përveç konfliktit të çastit, blutë e Elbasanit po hetojnë një tjetër pistë, atë të mundësisë që autori të ketë ngatërruar shënjestër.
Grupi hetimor ka dyshime se objektiv i atentatit të ketë qenë nipi i Kastriot Kilës, i njohur si “Ot Kila”, një personazh i njohur në botën e krimit. Ai ka qenë i ulur në të njëjtën bar-kafe në momentin kur autori i maskuar me paruke qëlloi me armë dhe plumbat kapën Armand Tomorricën dhe Renaldo Mancen. Nga të shtënat mbeti i plagosur aksidentalisht dhe kamerieri 19-vjeçar Biorgi Hoxha.
Të pyetur nga grupi hetimor, tre të plagosurit që tashmë janë jashtë rrezikut për jetën kanë deklaruar se nuk e njohin autorin dhe nuk janë të përfshirë në asnjë konflikt. Ndërkohë, në pyetje është marrë edhe nipi i Ot Kilës por nga dëshmitë e siguruara deri më tani grupi hetimor nuk ka arritur të përcaktojë me siguri se ai ka qenë objektivi i sulmit.
Autori i dyshuar, ende i paidentifikuar ka arritur të largohet në errësirë përmes disa rrugicave të lagjes “Vullnetari”. Mësohet se pasi ka bërë disa metra me vrap, është ndihmuar nga një automjet dhe janë larguar në drejtim të paditur, ndërsa policia është duke parë të gjitha kamerat e zonës për të identifikuar automjetin dhe targën e tij. Në ndjekje të tij mbrëmjen e së hënës u vendos dhe një efektiv policie që gjendej rastësisht në lokal, por pa arritur ta prangosë.
Ot Kila është një personazh me precedentë të mëparshëm kriminal dhe i njohur si armik i Suel Çelës. Ai i ka shpëtuar të paktën 4 tentativave për ta eliminuar, përshirë edhe një atentati të porositur nga Suel Çela në vitin 2022, të cilin do ta kryente bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani. Arsyeja ishte sepse Oti ‘strehonte dhe mbante me bukë’ Talo Çelën. Por atentati dështoi dhe i plagosur mbeti vetë vrasësi me pagesë, Nuredin Dumani. Edhe rivali tjetër i tij, Erion Alibej dyshohet se nga qelia porositi një atentat për ekzekutimin e Ot Kilës në vitin 2023, por që shpëtoi sërish.
Në vitin 2018 ai u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali, pasi autoritetet italiane e akuzonin për pjesëmarrje në organizatë kriminale, trafik narkotikësh, mashtrim dhe kallëzim të rremë. Dy muaj pas arrestimit, Prokuroria e Elbasanit sekuestroi pasuri në emër të tij dhe familjarëve me vlerë të deklaruar rreth 71 milionë lekë, përfshirë një godinë 5-katëshe, tokë, njësi shërbimi, shoqërinë “Kila Trans”, si edhe 39 automjete luksoze dhe 6 motomjete, të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal. Më pas, Gjykata e Elbasanit e liroi nga paraburgimi duke caktuar masën “detyrim paraqitje”.