Aplikacion
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Golem, ku 5 turistë turq janë dhunuar nga stafi i një resorti.
Sipas burimeve, turistët kanë qenë duke konsumuar ushqim dhe pije në ambientet e lokalit, kur mes tyre dhe personelit ka nisur një debat, pasi punonjësit u kanë kërkuar të mos bëjnë zhurmë. Sherri ka degarduar deri në dhunë fizike.
Në pranga janë vënë menaxheri David Kondo dhe një punonjës i plazhit Eluert Qose. Dy punonjës të tjerë janë vënë në hetim.
Njoftimi i policisë
U konfliktuan fizikisht dhe me sende të forta, me 5 pushues turq, arrestohen 2 shtetas dhe procedohen penalisht 2 të tjerë (punonjës në subjektin ku ndodhi konflikti).
Menjëherë pas njoftimit për një konflikt ndërmjet disa shtetasve, në një lokal në plazh, në Golem, shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh organizuan punën dhe shkuan në vendngjarje, me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve përgjegjës. Në vijim të veprimeve procedurale për rastin:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit D. K., 33 vjeç dhe E. Q., 37 vjeç, të dy banues në Durrës, përkatësisht menaxher dhe punonjës në hapësirën e plazhit në këtë subjekt, për veprat penale “Plagosja e rendë me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prishja e qetësisë publike”, pasi dyshohet se gjatë konfliktit për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta, 2 pushues turq;
-u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Kanosja”, për shtetasit I. Sh., 48 vjeç dhe T. D., 49 vjeç, përkatësisht banakier dhe punonjës sigurie në këtë subjekt, pas dyshohet se kanë goditur dhe kanosur 3 shtetas turq.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.