zoom

Lajme

Akuzat e rënda të eurodeputetit për Ramën e familjen e tij dhe e vërteta e transfertave të parave me avionin “Ismaili”

Akuzat e rënda të eurodeputetit për Ramën e familjen e tij dhe e vërteta e transfertave të parave me avionin “Ismaili”

Politika po zien nga deklaratat e eurodeputetit Tomas Zdeçovski, sipas të cilit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka përdorur familjen e tij për të tranferuar jashtë vendit shuma të mëdha parash. 

“Të jeni të sigurt se situata në Shqipëri po monitorohet (nga BE) dhe qëndrimi ynë është absolutisht i qartë. Nëse zoti Rama nuk përgatit zgjedhje transparente do të ketë pasoja për të dhe veçanërisht familjen e tij.  Ne kemi vënë re se ai përdor familjen e tij për të çuar para jashtë shtetit. Ne po ndjekim paratë. Është një mesazh i qartë dhe ai do ta kuptojë shumë mirë mesazhin tim”, tha ligjvënësi çek i Parlamentit Europian, pjesë e Partive Popullore Europiane, grupit më të madh në PE. 

Edi Rama nuk ka bërë ende asnjë reagim për këtë akuzë të rëndë, por burime të Zoom.al thonë se në Partinë Socialiste ankthi se BE po e godet Ramën nga çdo anë, sa vjen e rritet. 

Opozita i shkoi më thellë kësaj akuze. Kreu i saj, Sali Berisha, tha se ai kishte të paktën 3 vjet që denonconte Ramën se po e përdorte avionin “Ismaili” për të kaluar çanta me paratë e drogës dhe korrupsionit dhe valixhe me kokainë. 

“Ka të dhëna që faktojnë se valixhet diplomatike të qeverisë shqiptare, me Ismail dhe pa Ismail, janë numerikisht më të shumta se të gjitha valixhet diplomatike të Evropës”, deklaroi Berisha. “I bëj thirrje Prokurorit Publik të BE të ndërmarrë menjëherë hetime për këtë problem tmerrësisht shqetësues. I bëj thirrje Interpolit, Europolit dhe Eurojust të angazhohen në hetimet më serioze të Edi Ramës që sillet si diktatorët e dikurshëm të Afrikës, që mbushin avionët me kartëmonedha dhe i sjellin në banka të ndryshme” – vijoi ai më tej në një konferencë për shtyp.

Por përtej akuzave të rënda për tranferim të parave, qeveria shqiptare nuk ka dhënë ende asnjë sqarim se sa para ka paguar për përdorimin e avionit “Ismaili” nga Edi Rama. Zoom.al, që zbuloi fillimisht dhjetra fluturime të kryera nga Rama me këtë avion, iu drejtua disa herë me shkresa zyrtare Kryeministrisë dhe Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, por nuk mori kurrë përgjigje. Edhe deputetëve të opozitës u janë refuzuar kërkesat për informacion. 

Lexo edhe:

Avioni, siç i deklaruan Zoom.al që në dhjetor të vitit 2021 burime të besueshme, iu “fal” Ramës nga presidenti turk Erdogan. Prej asaj kohe ai ka kryer të paktën 150 fluturime, me një kosto prej afro 25 milionë eurosh. E ka përdorur edhe për takime rutinë deri në Prishtinë apo në Podgoricë, duke shpenzuar të paktën 11 mijë euro për 1 orë fluturim. 


Por mbi “Ismailin” që opozita thotë se është përdorur për tranferta parash e droge, qëndrojnë re të shumta dyshimesh për një sërë aferash. 

Ka dyshime se kompania “Air Albania”, me pronar kontroversin Sinan Idrizi, Albcontrol dhe Turkish Airlines u krijua posaçërisht si guackë për të fshehur “dhuratën” e Erdoganit. Pasi skandali i shpenzimeve marramendëse me charter -in “Ismail” doli në dritë, Rama e braktisi avionin. Në të njëjtën periudhë “Air Albania” nisi të reduktonte fluturimet dhe të pranonte problemet e mëdha financiare. Për 4 vjet me radhë kjo kompani nuk i deklaroi asnjëherë pasqyrat financiare në QBK, duke shkelur hapur ligjin. Ajo ka falimentuar, ndërsa Rama ka marrë në përdorim një tjetër avion nga Erdogan, kësaj here të përmasave më të vogla dhe më pak luksoz sesa “Ismaili”. 


Lexo edhe:

Por a ishte vërtet dhuratë “Ismaili”? Raportime të ndryshme mediatike e kanë lidhur “borxhin” e përdorimit të këtij avioni me dy vepra publike ku kanë qenë të përfshira kompani turke, që kanë marrë miliona euro, por që nuk kanë kryer asnjë punë. 

“Intekar Yapı” dhe “ASL İnşaat”, të dyja me pronarë të lidhur ngushtë me Erdogan, fituan tenderin për tunelin e Llogarasë. Në fillim tenderi iu dha kompanisë “Gjoka” të Rrok Gjokës për 140 milionë euro. Më pas, me një vendim të dyshimtë, iu hoq dhe iu dha turqve për 50 milionë euro më shumë. Turqit ia dhanë prapë Gjokës për të kryer punimet, duke e paguar 140 milionë euro. 50 milionë eurot që morën fitim dyshohet se janë pagesa për përdorimin e “Ismailit”. 

Kompania tjetër është “Yda Group”. Behgjet Pacolli i Mabetex dhe Mabco, që ka ndërtuar Aeroportin e Vlorës, ka deklaruar publikisht se kishte qenë kjo kompani që e kishte ftuar të merrte pjesë bashkërisht në tender, duke i përmendur presidentin Erdogan. Pacolli tha se i kishte paguar asaj 3 milionë euro pasi u tërhoq nga konsorciumi, me fatura bankare të rregullta. Edhe këto para dyshohet se janë pagesa për “Ismalin” e “Air Albania -s” së Sinan Idrizit, edhe ai lidhur ngushtë me Erdogan. 

Lexo edhe:

Rama ka udhëtuar me avionin charter “Ismaili” me personazhe të ndryshme, gazetarë, analistë, politikanë, pronarë medias e familjarë të tij. Ai është fotografuar në çdo aeroport që “Ismaili” ka prekur. 

Akuzat e eurodeputetit çek janë të rënda, po ashtu edhe ato të opozitës. Por ajo që opozita duket se ka dështuar të bëjë deri tani është së pari transparenca me miliona eurot e përdorura për fluturimet luksoze të Ramës. Nëse e ka përdorur edhe për tranferta parash apo droge, kjo është një çështje më e madhe se opozita dhe se vetë eurodeputeti. /Zoom.al

Postime të lidhura