zoom

Aktualitet

Bashkëshorti i Elisa Spiropalit kallëzohet në polici për kanosjen e zyrtares së lartë

Bashkëshorti i Elisa Spiropalit kallëzohet në polici për kanosjen e zyrtares së lartë

Salarjon Totaj, bashkëshorti i Elisa Spiropalit, deputetes socialiste që po kritikon hapur prej kohësh qeverisjen e Edi Ramës, marrë në pyetje nga Policia e Tiranës dhe po hetohet në gjendje të lirë për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”.

Policia e thirri atë pas një kallëzimi të bërë nga një zyrtre e lartë e Hetimit dhe Kontrollit Tatimor, e cila ka denoncuar marrjen e mesazheve kërcënuese dhe fyese në telefonin e saj celular.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, shkak për konfliktin është bërë një aksion kontrolli dhe verifikimi tatimor i ushtruar ditët e fundit ndaj një biznesi në qarkun e Fierit, i cili rezulton në pronësi të motrës së Totajt.

Gjatë marrjes në pyetje në ambientet e Policisë Vendore të Tiranës, Totaj ka pranuar dërgimin e mesazheve drejtuar zyrtares së Tatimeve, mirëpo ka pretenduar se reagimi i tij ka ardhur pasi kontrolli i ushtruar ndaj biznesit familjar ishte i pambështetur në ligj dhe me prapavijë politike.

Pas marrjes në pyetje, policia ia referoi materialet Prokurorisë së Tiranës, e cila do të vijojë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Hetimet tatimore ndaj bizneseve të lidhrua me Spiropalin kanë nisur prej kohës kur ajo u shkarkua si Ministre e Jashtme dhe nisi denoncimet publike ndaj qeverisjes së Edi Ramës. /Zoom.al

Postime të lidhura