zoom

Lajme

Balla komenton deklaratën e Spiropalit për protestat: Kur të vijë në mbledhje…

Balla komenton deklaratën e Spiropalit për protestat: Kur të vijë në mbledhje…

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të Elisa Spiropalit lidhur me protestat qytetare dhe nevojën për një marrëveshje të re politike për Shqipërinë.

I pyetur nga gazetarët pas përfundimit të seancës parlamentare, Balla tha se nuk ndjek rregullisht reagimet dhe postimet e deputetëve në rrjetet sociale, duke theksuar se diskutimet dhe shqetësimet politike duhet të adresohen fillimisht brenda strukturave të partisë.

Sipas tij, çdo deputet apo anëtar i Partisë Socialiste ka mundësinë të shprehë mendimet dhe rezervat në mbledhjet e grupit parlamentar, aty ku zhvillohen debatet dhe diskutimet politike.

Balla bëri me dije se Spiropali nuk kishte marrë pjesë në mbledhjen e grupit socialist të zhvilluar paraditen e së enjtes, ndaj nuk ka pasur mundësi të dëgjojë drejtpërdrejt qëndrimin e saj mbi situatën politike dhe protestat që po zhvillohen në vend.

Ai u shpreh se sapo deputetja të paraqesë zyrtarisht shqetësimet apo propozimet e saj në forumet e partisë, do t’i dëgjojë me vëmendje dhe më pas do të japë edhe një qëndrim publik për mediat.

“Unë nuk ndjek postimet e të gjithë deputetëve apo anëtarëve të Partisë Socialiste, por se jam kryetar grupi, kushdo që ka një shqetësim, sapo e kam zhvilluar sot në mëngjes si mbledhje grupi. Sot nuk ishte fare. Kështu që kur të vijë të ma thotë aty, do ta dëgjoj me vëmendje dhe menjëherë pasi ta dëgjoj do të vij dhe këtu para jush t’ju sqaroj dhe ju, se kjo është detyra ime”, tha Balla.

Pak ditë më parë, Elisa Spiropali përmes nhë reagimi në rrjetet sociale tha se është kollaj t’i sillesh rrotull me fjalë boshe dhe konspiracione protestave, duke theksuar se tani është momenti për të bërë diçka të qëndrueshme.

Sipas Spiropalit, vendi ka nevojë për institucione të pavarura, një parlament më përfaqësues, drejtësi funksionale, media të lira dhe një sistem zgjedhor që garanton konkurrencë reale./ Zoom.al

Postime të lidhura