Aplikacion
Bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates, është paraqitur para Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA për të dhënë dëshmi lidhur me hetimet që po zhvillohen mbi marrëdhëniet e tij me financierin Jeffrey Epstein.
Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërsa dëshmia e Gates është regjistruar në formë të shkruar. Autoritetet amerikane pritet të publikojnë më vonë transkriptin e plotë të deklarimeve të tij.
Megjithëse Gates nuk përballet me akuza penale në lidhje me çështjen Epstein, kontaktet e tij me financierin kanë vazhduar të jenë objekt diskutimi publik. Sipas informacioneve të bëra publike, dyshja kanë pasur takime të shumta mes viteve 2011 dhe 2014, kryesisht për diskutime mbi projekte investimi dhe iniciativa filantropike që nuk u konkretizuan kurrë.
Vetë Gates ka pranuar më herët se afrimi me Epstein ka qenë një gabim serioz në gjykimin e tij. Ai ka shprehur keqardhje për kontaktet e mbajtura me financierin, i cili u përball me akuza të rënda për abuzim seksual dhe trafikim të të miturve.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Gates kanë hedhur poshtë pretendimet që e lidhin atë me aktivitete të paligjshme të përmendura në dokumentet dhe dëshmitë e lidhura me çështjen Epstein. Sipas tyre, akuzat që flasin për përdorim droge, pjesëmarrje në aktivitete seksuale të paligjshme apo pretendime të tjera personale janë të pabazuara dhe pa asnjë provë konkrete.
Para hyrjes në sallën e dëshmisë, Gates deklaroi se kishte zgjedhur të bashkëpunonte vullnetarisht me komisionin hetimor. Ai theksoi se qëllimi i tij ishte të ndihmonte në zbardhjen e plotë të çështjes dhe në përpjekjet për drejtësi për viktimat./ Zoom.al
Rekordet e Kupës së Botës, Messi dhe Mbappe “kërcënojnë” disa prej arritjeve historike