zoom

Bota

Me shumicë votash, shkarkohet nga detyra kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale

Me shumicë votash, shkarkohet nga detyra kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale

Shtetet anëtare të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) votuan të premten me shumicë për shkarkimin e kryeprokurorit Karim Khan, pas akuzave për sjellje të papërshtatshme, gjatë një sesioni të posaçëm të mbajtur në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Sipas burimeve diplomatike, 82 nga 125 shtetet anëtare të gjykatës votuan në mënyrë të fshehtë për largimin e Khanit, duke tejkaluar shumicën absolute të nevojshme për shkarkimin e tij.

13 shtete votuan kundër, ndërsa 15 abstenuan. Kjo është hera e parë në historinë 24-vjeçare të Gjykatës Penale Ndërkombëtare që shtetet anëtare votojnë për shkarkimin e një kryeprokurori në detyrë.

Votimi u zhvillua pak kohë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kërcënoi se Uashingtoni do ta “çmontojë ICC-në tullë pas tulle, nëse është e nevojshme”, ndërsa shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve të gjykatës, përfshirë Karim Khanin, janë vendosur nën sanksione nga SHBA për shkak të punës së tyre në hetimet për krimet e luftës në Palestinë dhe Afganistan.

Procesi disiplinor ndaj Khanit nisi pas vendimit të tij, më shumë se dy vjet më parë, për të kërkuar urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, ish-ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant, si dhe tre drejtuesve të Hamasit, lidhur me krimet e dyshuara të luftës gjatë konfliktit në Gaza që nga tetori i vitit 2023.

Votimi u zhvillua gjithashtu në një klimë kritikash ndaj mënyrës se si Byroja e Asamblesë së Shteteve Palë (ASP) menaxhoi hetimin. Kritikat u përqendruan te pretendimet se procesi ishte politizuar, pasi shtetet anëtare të Byrosë injoruan mendimin unanim të panelit të gjyqtarëve, i cili kishte arritur në përfundimin se nuk ishte provuar asnjë shkelje nga ana e Khanit.

Javën e kaluar, më shumë se 180 organizata palestineze të shoqërisë civile dhe të të drejtave të njeriut nënshkruan një deklaratë, ku argumentonin se procesi disiplinor “është reduktuar në një referendum politik që ndjek interesat kombëtare të shteteve të veçanta anëtare”.