Aplikacion
File Bulku, nëna e djalit me spektër autik, ka dhënë versionin e saj për ngjarjen që ndodhi ditën e djeshme para Parlamentit, ku ajo dhe i biri u prekën nga uji me piper që po hidhej gjatë përplasjeve me protestuesit.
Pamjet e tyre u bënë virale në rrjetet sociale, ndërsa në platformën GoFundMe janë mbledhur më shumë se 130 mijë euro për t’u ardhur në ndihmë.
Gjatë një prononcimi për gazetarin Osman Stafa, File Bulku ka komentuar deklaratën e kryeministrit Edi Rama, i cili, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së, tha se nëna dhe djali me spektër autik u përdorën si mburojë në momentin e sulmit ndaj Policisë së Shtetit gjatë protestës.
“Pikërisht aty, në fund të hendekut, i futën sorrat dhe korbat dorën e solidaritetit të tyre hipokrit për ta marrë te Parlamenti dhe për ta akuzuar, duke e përdorur si mburojë teksa sulmonin me maska Policinë e Shtetit. Dhe pastaj e vunë edhe përpara kamerës, e përdhunuan dhe e nxorën në mexhelis për të qarë hallin”, u shpreh kryeministri.
Por File Bulku deklaron se ditën e djeshme nuk ka marrë pjesë në protestë. Sipas saj, në momentin kur u prek nga uji me piper, ishte duke u kthyer pasi kishte çuar të birin në terapi. Më tej nëna e djalit me spektrin autik, i ka kërkuar kryeministrit ballafaqim.
Biseda me gazetarin:
Bulku: Unë nuk isha fare në protestë. Çova çunin në terapi dhe rrugët ishin të bllokuara. Duke u kthyer nga Parlamenti, më hodhën piper në sy.
Stafa: Pra, ti ke qenë rastësisht aty?
Bulku: Po, isha rastësisht.
Stafa: Po kryeministri thotë se të kanë sjellë të tjerë?
Bulku: Jo, jo. Le të vijë të përballet me mua kryeministri. Le të përballen me mua edhe policët.
Stafa: Çfarë ndodhi aty?
Bulku: Te Parlamenti rrugët ishin të bllokuara. Kur ika ishin të hapura, por kur u ktheva më hodhën piper në sy. A i hidhet një djali piper në sy? Jo, kryeministër, po i hyn në gjynah djalit. Të ballafaqohet me mua Edi Rama.