Aplikacion
Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish protestuesit, duke i cilësuar si “dështakët dhe zemërakët e Shqipërisë”, ndërsa një pjesë të zemërimit të qytetarëve e lidhi me problemet që hasin në administratën shtetërore dhe shërbimet publike.
Rama tha se pas protestave fshihen edhe histori reale të qytetarëve që ndihen të poshtëruar nga mungesa e shërbimit në institucionet shtetërore. Ai solli shembullin e nënës së një miku të tij, e cila, sipas kryeministrit, kishte marrë pjesë në protestë për shkak të mënyrës se si ishte trajtuar në një poliklinikë.
“Uji i pastër është nën koren e zezë të asaj që, për fat të keq, është pjesa e dukshme ku janë mbledhur dështakët dhe zemërakët e Shqipërisë. Në atë rrjedhë të madhe ka shumë për të mësuar”, u shpreh Rama.
Sipas tij, gruaja e moshuar i kishte treguar të birit se ishte detyruar të priste që në orët e para të mëngjesit për t’u vizituar, ndërsa mjeku kishte mbërritur me vonesë dhe ishte larguar pa vizituar të gjithë pacientët.
“Kjo grua del në protestë sepse është e fyer. Dhe fyerje është fjalë e lehtë, sepse ky është poshtërim. Ndjenja e poshtërimit nga njerëzit që duhet të të shërbejnë është kulmi”, deklaroi kryeministri.
Rama pranoi se raste të tilla nuk mund të tolerohen, por theksoi se ato nuk përfaqësojnë shumicën e administratës. Ai shtoi se qeveria monitoron vazhdimisht institucionet përmes strukturave antikorrupsion dhe kontrolleve të paparalajmëruara.
Në fund, kreu i qeverisë u ndal edhe te lufta kundër korrupsionit, duke deklaruar se “sistemi për herë të parë po lufton me korrupsionin” dhe se kjo, sipas tij, është arsyeja pse po krijohet “turbullirë” në opinionin publik.
“Po hyhet aty ku nuk është hyrë kurrë”, u shpreh Rama, duke kundërshtuar akuzat se nuk po luftohet korrupsioni.
Rama: Uji i pastër nën koren e zezë të asaj që për fat të keq është pjesa e dukshme ku janë mbledhur dështakët dhe zemërakët e Shqipërisë. Në atë rrjedhë të madhe ka shumë për të mësuar.
Nëna e një shoku tim kishte dalë në protestë. Edhe i biri më tregon se ishte alarmuar kur i kishin thënë që ka shkuar mamaja në protestë. Sepse ajo është në një moshë të caktuar që, duke e imagjinuar në mes të një turme njerëzish, të shkon në mend nëse pengohet mund të ketë dëmtim fizik. Ishte kthyer në shtëpi i alarmuar dhe pyet të ëmën pse në protestë.
Dhe e ëma i tregon ajo që është, mendoj unë, thelbi i zemërimit të shumë njerëzve me administratën shtetërore. Të natyrës shëndetësore. I duhet të shkojë në mënyrë periodike në poliklinikë. Duke qenë se si ajo ka dhe të tjerë, njerëzit shkojnë atje që në orën 5 apo 6 të mëngjesit. Sepse presin që mjeku të vijë dhe shpresojnë, duke qenë para në radhë, të kenë mundësi t’i shohë.
Sepse mjeku nuk vjen në orar, vjen një orë më mbrapa. Pra ata njerëz presin nga ora 5 deri në 10. Mjeku nuk rri deri në fund të orarit. Trajton 3 apo 4 dhe ikën.
Kjo grua në moshë, gjyshe, del në protestë sepse është e fyer. Dhe fyerje është fjalë e lehtë, sepse fyerja është një herë. Ky është poshtërim. Ndjenja e poshtërimit nga njerëzit që duhet të të shërbejnë ty është një ndjenjë që mjafton të bësh një përpjekje shumë të vogël ta vësh veten në atë pozitë për ta kuptuar se është kulmi.
Njerëzit nuk ndjehen të fyer apo të poshtëruar se nuk zgjidhin dot një hall. Shumë halle kërkojnë zgjidhje gjyqësore. Administrata nuk bëhet dot gjykatë. Qeveria nuk bëhet dot gjykatë. Ai mjeku është i detyruar që një të sëmuri t’i ofrojë gjithë komfortin që vjen nga njerëzillëku. Mungesa e njerëzillëkut është një mungesë që njerëzit nuk e tolerojnë me të drejtë.
Këta nuk janë shumica për fat të mirë. Sepse nuk mjaftohemi me çfarë shikojmë, si mendojnë disa, në raporte. Bëjmë përpjekje të shohim si funksionon administrata edhe kur është jashtë vëmendjes sonë. Me strukturat e antikorrupsionit dhe ndihmën e mekanizmave të tjerë, ministrja ndjek ecurinë e këtyre marrëdhënieve edhe me vizita të paparalajmëruara.
Nuk rezulton se në spitale normalja është kjo që thashë për atë mjek. Mjafton t’i ndodhë dikujt. Nuk ka nevojë të tërheqin zvarrë të gjithë njerëzit që kanë diçka për të thënë. Mjafton të tërhiqet njëri zvarrë, siç ndodhi me atë momentin skandaloz.
Kjo nëna nuk tërhiqet zvarrë, por te ai njeriu atje ndjehet pjesë, sepse ndërkohë është ky mjeku që i tërheq zvarrë atë dhe bashkëmoshatarët e saj, që me të drejtën e Zotit kërkojnë atë shërbimin.
Të jesh i vetëdijshëm është e rëndësishme. Për mua personalisht, qenia i vetëdijshëm për çfarë njerëzit jetojnë është më e rëndësishmja. Por të veprosh për ta ndryshuar këtë është shumë më komplekse se ç’mendohet. Dhe duhet që sistemi të të mbrojë.
Fiks ajo që po ndodh në Shqipëri dhe humbet në mjegullën e debatit është që sistemi, për herë të parë, po lufton me korrupsionin. Komplet e kundërta e asaj që thuhet badjava. Sistemi po lufton korrupsionin. Është shumë e dhimbshme. Si një therje në sytë e të gjithëve. Krijon turbullirë, pisllëk, sepse faktikisht kjo gjë po ndodh. Po hyhet aty ku nuk është hyrë kurrë.