Aplikacion
Policia e Tiranës ka arrestuar 19 persona pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë pranë Kuvendit të Shqipërisë. Ndërkohë, 12 persona të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin e gjashtë personave të tjerë të dokumentuar me pamje filmike duke kryer akte dhune.
Sipas Policisë, gjatë tubimit disa protestues kundërshtuan dhe goditën me sende të forta efektivët, dëmtuan një automjet policie, si edhe sulmuan deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.
Si pasojë e përplasjeve, mbetën të dëmtuar 15 punonjës policie, ndërsa u dëmtua edhe një automjet i Policisë.
Në pranga kanë rënë 18 persona të dyshuar për përfshirje në aktet e dhunës, si edhe shtetasi me iniciale A. Ll., 35 vjeç, i akuzuar se ka goditur një gazetar gjatë protestës.
Po ashtu, Policia procedoi penalisht në gjendje të lirë 12 shtetas, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Shkatërrim prone”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishje e rendit dhe e qetësisë publike”, “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Mosbindje ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të policisë” dhe “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”.