Aplikacion
Një deklaratë e fortë distancimi nga avokati i njohur Dorian Matlija ka shërbyer si shtysë për një lëvizje të mirëkalkuluar politike nga Kryeministri Edi Rama, i cili qëllimisht po “bën budallain” për të përmbysur të gjithë narrativën e protestës kundër qeverisë së tij.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë ka zgjedhur një teknikë klasike propagande: në vend që të mbrohet nga akuza e rëndë e avokatit, i cili e cilëson pushtetin e tij si “kriminal dhe arrogant”, ai ka vendosur ta injorojë plotësisht këtë pjesë duke e kaluar me një ironi të lehtë mbi negociatat me BE-në dhe mandatin popullor.
Rama e di shumë mirë që nëse futet në debat direkt me juristin për legjitimitetin e qeverisë, thjesht do t’i jepte peshë dhe vlerë asaj akuze, ndaj po zbaton atë që në politikë njihet si “përzgjedhja e favorshme”, duke kapur fort vetëm ato rreshta ku Matlija godet organizatorët e tjerë të lëvizjes.
Për Ramën, rreziku i vërtetë nuk vjen asnjëherë nga analizat juridike apo postimet në rrjete, por nga masa e njerëzve në rrugë dhe mundësia e një radikalizimi që do t’i ikte kontrollit. Kur sheh që një figurë qendrore dhe me integritet brenda kauzës i quan publikisht drejtuesit e tjerë “analfabetë kushtetues” dhe “dhunues”, kryeminstri shfrytëzon rastin për të përçarë protestën.
Ai nxiton ta quajë këtë qëndrim si një “hap konstruktiv” për të treguar para opinionit publik se as vetë ata që janë në shesh nuk merren vesh me njëri-tjetrin dhe se lëvizja po udhëhiqet nga njerëz pa mandat e pa ide të qarta.
Në këtë mënyrë, Rama arrin të bëjë një ndarje mes vetë protestuesve, duke i ndarë ata në dy kampe të ndryshme. Nga njëra anë nxjerr “të mirët dhe të arsyeshmit” që duan mjedisin dhe me të cilët ai vetofrohet të ulet në dialog, dhe nga ana tjetër “të këqijtë dhe radikalët” që gjuajnë me gurë e që tashmë janë goditur politikisht edhe nga vetë avokati.
Duke e zhvendosur artificialisht betejën nga rruga, ku pushteti ndihet gjithmonë i kërcënuar, drejt zyrave dhe tryezave të dialogut, Rama jo vetëm që përçan lëvizjen, por tenton t’i zhveshë ata nga çdo pretendim politik për rrëzimin e qeverisë. Ai nuk po bën budallain sepse nuk kupton, por sepse kjo sjellje i lejon të sillet si një lider që qëndron përmbi palët, duke e kthyer deklaratën e distancimit të Matlijës në një thikë pas shpine për vetë protestën.