zoom

Aktualitet

Arratisja e Hasan Ferracakut, AMP arreston për shpërdorim detyre katër punonjësit e policisë

Arratisja e Hasan Ferracakut, AMP arreston për shpërdorim detyre katër punonjësit e policisë

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar katër punonjës policie, pas arratisjes së Hasan Ferracaku.

Bëhet me dije se në pranga kanë rënë tre inspektorët Dorjan Hasandoçaj, Gentian Xhanari, Dioniz Hotaj dhe punonjësi Ridvan Zefi.

Katër punonjësit e policisë akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.

Kujtojmë që Hasan Ferracuku i cili është një prej të dyshuarve si  pjesëmarrës në masakrën e Velipojës në 2021-shin, ku mbetën 4 të vrarë dhe dy të plagosur, është arratisur nga banes e tij në Shkodër, ku po vuante dënimin “arrest në shtëpi”.

Ai ka arritur t’i shpëtojë ruajtjes policore dhe të largohet në drejtim të paditur.

Njoftimi i AMP-së:

AMP arreston katër punonjës të Njësisë së Sigurisë Kombëtare Shkodër, të dyshuar për “Shpërdorim detyre”.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Drejtoria Rajonale Shkodër – Lezhë) ka arrestuar në flagrancë katër punonjës policie të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Menjëherë pas marrjes së informacionit se shtetasi Hasan Verracaku, ndaj të cilit ishte caktuar masa e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, nuk është konstatuar në banesën ku duhej të mbahej nën mbikëqyrje dhe në ruajtje, specialistët e AMP-së kryen veprimet hetimore dhe procedurale përkatëse, në përfundim të të cilave u bë arrestimi në flagrancë, i punonjësve të policisë:

* Inspektor Dorjan Hasandoçaj;

* Inspektor Gentian Xhanari;

* Inspektor Dioniz Hotaj;

* Punonjësit Ridvan Zefi,

me detyrë pranë Trupës Operacionale të Njësisë së Sigurisë Kombëtare Shkodër

Ndërkohë shtetasi Hasan Verracaku dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, parashikuar nga neni 323 i Kodit Penal, duke thyer kushtet e masës së sigurisë të caktuar me vendim gjykate.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet plotësisht e angazhuar në mbrojtjen e ligjit, integritetit institucional dhe besimit të qytetarëve tek institucionet e sigurisë.