Aplikacion
Vala e fortë e të nxehtit që ka përfshirë Spanjën ka shkaktuar pasoja të rënda, me mbi 1 mijë persona që kanë humbur jetën gjatë muajit qershor si pasojë e temperaturave shumë të larta.
Sipas të dhënave të Institutit Shëndetësor “Carlos III”, numri i viktimave të lidhura me vapën ka arritur në 1.028, më shumë se dyfishi krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur u regjistruan 407 raste. Autoritetet e konsiderojnë këtë shifrën më të lartë të vdekjeve të lidhura me temperaturat ekstreme për muajin qershor që nga viti 2015.

Kulmi i valës së të nxehtit u regjistrua më 23 qershor, kur rreth 73% e popullsisë së vendit u ekspozua ndaj niveleve të larta të rrezikut për shëndetin.
Edhe Agjencia Kombëtare Meteorologjike e Spanjës bëri të ditur se qershori i këtij viti ishte ndër muajt më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë në vend, me temperatura mesatare rreth 3.2 gradë Celsius mbi normat klimatike.

Fenomeni nuk ka prekur vetëm Spanjën. Temperaturat mbi 40 gradë Celsius janë regjistruar edhe në vende të tjera të Europës, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe rajonin e Ballkanit. Sipas vlerësimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se 1.300 persona kanë humbur jetën në kontinent si pasojë e valës së të nxehtit.
Drejtori Rajonal i OBSH-së për Europën, Hans Kluge, paralajmëroi se ngjarje të tilla ekstreme pritet të bëhen gjithnjë e më të shpeshta për shkak të ndryshimeve klimatike. Ai theksoi se mungesa e masave parandaluese mund të rrisë ndjeshëm numrin e viktimave, veçanërisht mes të moshuarve, personave me sëmundje kronike dhe punonjësve që ekspozohen për orë të gjata në ambiente të hapura./ Zoom.al