Aplikacion
Spanja po përballet me pasojat e një vale të fortë të të nxehtit, e cila ka shkaktuar qindra viktima në vetëm pak ditë.
Sipas të dhënave zyrtare, të paktën 327 persona kanë humbur jetën që nga 21 qershori si pasojë e temperaturave ekstreme që kanë përfshirë vendin.
Agjencia meteorologjike spanjolle bëri të ditur se episodi i të nxehtit përfundoi të enjten, por ndikimi i tij në shëndetin e popullsisë ka qenë i rëndë.
Sipas statistikave që datojnë që nga viti 1950, data 23 qershor u regjistrua si dita më e nxehtë e qershorit e shënuar ndonjëherë në Spanjë.
Rajonet veriore të vendit u goditën veçanërisht nga temperaturat ekstreme. Në aeroportin e Bilbaos u regjistruan nivele rekord si për temperaturat maksimale gjatë ditës, ashtu edhe për ato minimale gjatë natës, duke treguar se nxehtësia ka vijuar edhe gjatë orëve të mbrëmjes.
Autoritetet shëndetësore kanë bërë të ditur se që prej fillimit të sezonit të monitorimit të temperaturave të larta, në mesin e muajit maj, janë regjistruar gjithsej 611 vdekje që lidhen me efektet e nxehtësisë.
Ndërkohë, temperaturat e larta kanë përfshirë edhe vende të tjera evropiane. Franca ka shënuar ditën më të nxehtë të vitit më 24 qershor, ndërsa temperatura mesatare ditore ka kaluar për herë të parë pragun e 30 gradëve Celsius./ Zoom.al