zoom

Bota

Tjetër viktimë nga vapa në Francë, 3-vjeçari gjendet i vdekur në makinë

Tjetër viktimë nga vapa në Francë, 3-vjeçari gjendet i vdekur në makinë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Francën, ku një djalë 3-vjeçar humbi jetën pasi u gjet i mbyllur brenda makinës së familjes në Saint-Gratien. Ngjarja ndodhi në departamentin Val-d’Oise, në mes të valës së të nxehtit që ka përfshirë Francën.

Sipas autoriteteve, fëmija u gjet pa ndjenja të mërkurën në mbrëmje nga prindërit e tij, të cilët kishin humbur kontaktet me të. Shërbimet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe tentuan ta rikthenin në jetë, por pavarësisht përpjekjeve, 3-vjeçari u shpall i vdekur. Hetimet paraprake tregojnë se fëmija kishte mbetur pa mbikëqyrje për të paktën 45 minuta. Dyshohet se ai kishte hyrë vetë në automjetin e parkuar pranë banesës dhe kishte mbetur i bllokuar brenda. Në atë kohë, nëna po flinte me foshnjën 18-muajshe të familjes, ndërsa babai ndodhej duke punuar në një kasolle në oborr.

Nëna është transportuar në spital në gjendje shoku, ndërsa prokuroria ka nisur një hetim për vrasje nga pakujdesia. Trupi i të miturit është dërguar në institutin mjeko-ligjor për kryerjen e autopsisë.

Ngjarja vjen vetëm pak ditë pas një rasti tjetër tragjik në Francë. Më 22 qershor, dy fëmijë të moshës 2 dhe 4 vjeç u gjetën të pajetë brenda makinës së familjes në Carpentras, pasi kishin hyrë në automjet dhe kishin mbetur të bllokuar, ndërsa nëna e tyre ishte e zënë me sistemimin e ushqimeve. Edhe në atë rast, përpjekjet e mjekëve për t’i shpëtuar rezultuan të pasuksesshme.

Postime të lidhura