zoom

Bota

Evropa nën “pushtetin” e vapës, temperatura ekstreme edhe në korrik

Evropa nën “pushtetin” e vapës, temperatura ekstreme edhe në korrik

Evropa po përballet me një nga periudhat më të nxehta të viteve të fundit, ndërsa meteorologët paralajmërojnë se temperaturat e larta do të vazhdojnë të dominojnë kontinentin edhe gjatë ditëve të para të korrikut.

Sipas parashikimeve meteorologjike, një sistem i fuqishëm anticikloni po favorizon temperatura shumë më të larta se mesatarja sezonale.

Meteorologët shpjegojnë se fenomeni i njohur si “kupola e nxehtësisë” po pengon depërtimin e masave të freskëta ajrore dhe sistemeve me reshje, duke bërë që ajri i nxehtë të mbetet i bllokuar mbi kontinent.

Si pasojë, temperaturat në disa rajone pritet të regjistrojnë vlera të pazakonta për fundin e qershorit, me diferenca që në disa vende mund të arrijnë deri në 15 apo 20 gradë Celsius mbi mesataren klimatike.

Pas valës së vapës që ka prekur Francën, Spanjën dhe Portugalinë, temperaturat e larta po shtrihen gradualisht drejt Evropës Qendrore dhe Veriore. Belgjika, Holanda, Luksemburgu dhe Mbretëria e Bashkuar pritet të përjetojnë ditë të nxehta gjatë kësaj jave.

Meteorologët paralajmërojnë se fundjava mund të sjellë temperatura të larta edhe në Gjermani, Poloni, vendet skandinave, rajonin alpin dhe më pas në Ballkan./ Zoom.al

Postime të lidhura