Aplikacion
Një valë ekstreme e të nxehtit ka përfshirë një pjesë të madhe të Evropës, duke shkaktuar probleme serioze në disa vende dhe duke vënë në alarm autoritetet shëndetësore dhe shërbimet e emergjencës. Temperaturat e pazakonta për këtë periudhë po sjellin pasoja si për qytetarët, ashtu edhe për mjedisin.
Në Francë, temperaturat e larta kanë ndryshuar jetën e përditshme në shumë qytete.

Në Paris, brigjet e Kanalit Saint-Martin dhe zonat pranë Senës janë mbushur me qindra banorë që kërkojnë të freskohen përballë vapës së fortë. Pamjet nga kryeqyteti francez i ngjajnë më shumë një plazhi veror sesa një qendre urbane.

Autoritetet franceze kanë konfirmuar deri tani tre viktima të lidhura me temperaturat ekstreme, ndërsa mijëra persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore për probleme të shkaktuara nga i nxehti.
Përballë situatës, qeveria franceze ka marrë masa të jashtëzakonshme, duke mbyllur ose reduktuar oraret e funksionimit të rreth 2.700 shkollave në të gjithë vendin. Në disa rajone është shpallur niveli më i lartë i alarmit meteorologjik.

Qyteti i Bordosë pritet të përjetojë temperatura që mund të kalojnë 42 gradë Celsius, ndërsa dhjetëra rajone franceze ndodhen nën alarm të kuq për shkak të rrezikut që paraqet vala e të nxehtit.
Ministrja franceze e Shëndetësisë paralajmëroi se kushtet ekstreme atmosferike pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, duke bërë thirrje që qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht të moshuarit, fëmijët dhe personat me probleme shëndetësore.
Situata paraqitet shqetësuese edhe në Spanjë, ku shërbimet meteorologjike kanë shpallur alarm të kuq në disa rajone. Në zonën e Vendit Bask dhe në qytetin e San Sebastianit temperaturat parashikohen të arrijnë deri në 40 gradë Celsius, shumë mbi mesataren sezonale.
Meteorologët raportojnë se në disa pjesë të kontinentit temperaturat janë nga 5 deri në 10 gradë më të larta se vlerat normale për këtë periudhë. Edhe gjatë natës, termometri në disa zona nuk zbret nën 25-30 gradë Celsius, duke vështirësuar ndjeshëm pushimin dhe jetën e përditshme të qytetarëve.
Ndikimi i valës së të nxehtit nuk po kufizohet vetëm te njerëzit. Qendrat e kujdesit për kafshët e egra në Evropën Veriore raportojnë një rritje të rasteve të kafshëve të prekura nga temperaturat ekstreme. Në Belgjikë, ekspertët e faunës kanë vërejtur se shumë zogj po braktisin foletë për t’i shpëtuar temperaturave të larta që krijohen nën çatitë e ndërtesave./ Zoom.al