Aplikacion
Franca po përballet me një valë të fortë të nxehti, e cila ka detyruar autoritetet meteorologjike të shpallin alarm portokalli në 53 departamente të vendit. Temperaturat pritet të rriten ndjeshëm gjatë ditëve në vijim, duke prekur një pjesë të madhe të territorit francez.
Sipas parashikimeve, kjo është vala e dytë e të nxehtit që godet Francën gjatë këtij viti. Fenomeni po lëviz nga jugperëndimi drejt verilindjes, ndërsa në shumë rajone temperaturat kanë arritur tashmë nga 34 deri në 36 gradë Celsius.
Në zonat e Rivierës Franceze dhe në Korsikë termometri mund të shënojë deri në 38 gradë, ndërsa në rajonin e Parisit pritet që temperaturat të afrohen me rekordet historike të muajit qershor, duke arritur deri në 37 gradë Celsius.
Meteorologët paralajmërojnë se pas një uljeje të lehtë të temperaturave në disa rajone veriore gjatë fundjavës, një tjetër valë e nxehti do të përfshijë pothuajse të gjithë vendin. Në disa zona të Francës qendrore dhe perëndimore temperaturat mund të prekin kufirin e 40 gradëve Celsius.
Temperaturat e larta kanë filluar të ndikojnë edhe në funksionimin e shërbimeve publike dhe infrastrukturës. Disa linja hekurudhore janë pezulluar, ndërsa sektori energjetik po përballet me vështirësi për shkak të rritjes së temperaturës së ujërave në lumenj, që përdoren për ftohjen e centraleve.
Për shkak të kushteve ekstreme atmosferike, disa bashki kanë anuluar aktivitete publike dhe koncerte në natyrë, duke u bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar.
Situata nuk kufizohet vetëm në Francë. Britania e Madhe, Spanja, Gjermania dhe Zvicra po përballen gjithashtu me temperatura të larta dhe paralajmërime për mot ekstrem. Edhe vendet e Europës Qendrore, si Austria, Hungaria dhe Sllovakia, pritet të përjetojnë ditë të nxehta./ Zoom.al