Aplikacion
Ka rënë në pranga autori i dyshuar i grabitjes me armë të pikës së karburantit “Elda” në Krastë të Krujës, ngjarje e ndodhur rreth orës 01:00 pas mesnatës së të martës.
Në pranga është vënë shtetasi Marvin Ferra, i cili sipas burimeve policore dyshohet të jetë i përfshirë edhe në grabitje të tjera.
Sipas të dhënave, gjatë operacionit për kapjen e tij, Ferra nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe tentoi të largohej me një automjet tip “Benz”, në të cilin udhëtonte së bashku me një të mitur me inicialet I.G.
Gjatë tentativës për arratisje, ai është përplasur me automjetin, e ka braktisur atë dhe ka vijuar largimin me vrap. Pas ndjekjes nga efektivët, është arrestuar disa qindra metra larg vendit të përplasjes.
Pas një pune intensive hetimore nga drejtuesit dhe specialistët e Komisariatit të Policisë Krujë, i dyshuari ka pranuar autorësinë e grabitjes, ndërsa ka treguar edhe vendin ku mbante të fshehura armë zjarri.
Gjatë kontrolleve, policia ka sekuestruar një armë zjarri automatik kallashnikov dhe një pushkë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të verifikuar nëse i arrestuari ka lidhje me raste të tjera grabitjesh të ndodhura më parë.