Aplikacion
Analisti Fatos Lubonja ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, të bëra gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së në mëngjesin e sotëm.
Lubonja deklaroi se tentativa e Ramës për ta paraqitur atë si “persekutor” është e dobët dhe e çalë. Lubonja tha se Rama ka në dorë të gjitha pushtetet, ndërkohë që ai ka vetëm pushtetin e fjalës së lirë.
Analisti theksoi se ia ka bërë të qartë Ramës kur ai sapo ishte bërë kryetar bashkie i Tiranës, se ishte i rrezikshëm për politikën, vendin dhe veten e tij.
“Kjo akuza për të më bërë mua persekutor si ata të së kaluarës është e dobët dhe çalon shumë sepse ata ishin njerëz që kishin pushtet, policinë e sigurimin dhe ne ishim të dobët e të pafuqishëm. Ndërkohë që sot është e kundërta, pushtetin e ka ky zotëria. Ka policinë, të gjitha.
Unë kam forcën dhe pushtetin e fjalës së lirë, kështu që të më krahasosh me ata është i dobët dhe nuk qëndron. Unë thjesht kam bërë detyrën time si intelektual e gazetar duke ngritur problemet.
Ia kam thënë që kur u bë kryetar bashkie që je i rrezikshëm, duhet të ikësh nga politika. Je i rrezikshëm edhe për politikën dhe për vendin, por edhe për veten tend“, tha ne një intervistë për News24.
Ndërkohë, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së në mëngjes, Edi Rama iu përgjigj kritikave të Lubonjës, duke e përmendur në kontekstin e çështjes së “Arubës” dhe akuzave publike që sipas tij janë ricikluar në rrjete sociale dhe janë kthyer në perceptime të vërteta pavarësisht mungesës së fakteve.
“Fatos Lubonja kërkon llogari nga unë për Arubën. Në të gjithë historinë e njerëzimit, që kur janë vendosur rregullat e qytetërimit romak, llogaria jepet në bazë të fakteve. Çfarë vlere ka që unë të them se nuk kam qenë kurrë në Aruba, nuk e di fare për çfarë bëhet fjalë, nuk kam dërguar kurrë njeri? Këto nuk kanë vlerë, sepse Aruba është bërë e vërtetë, është nxjerrë në këtë fushën e algoritmit, është ricikluar në pafundësi dhe është bërë e vërtetë.
Siç është bërë e vërtetë që unë jam një konsumator kokaine. Fjala “drogagji”, “ik mor drogagji”, është një refren që mua më ndjek si e vërtetë. Siç është e vërtetë që unë kam akuzuar tim atë për marrëdhënie me time shoqe dhe për atësinë e djalit tim, është bërë e vërtetë çfarëdo të them unë. Nuk kanë rëndësi letrat e gjykimit, algoritmi e ka bërë të vërtetë, siç kanë bërë të vërtetë që unë jam një kusar që marr pjesën time nga çdo lloj gjëje që bëhet në Shqipëri. Për këtë arsye nuk e them këtë gjë rregullisht, se nuk ka asnjë vlerë”, tha Rama.