Aplikacion
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka deklaruar se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku vijon të mbetet numri 2 i qeverisë Rama edhe pse është zyrtarisht person nën hetim nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera.
Në vijim të Takimit të 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri – Bashkimi Europian, ku po zhvillohen punimet e Sesionit të II-të, Bardhi ka kujtuar edhe takimet në Aruba dhe lidhjet e krimit me mazhorancën në pushtet.
“Në 23 shtator një investigim i media italiane përshkruan takime të fshehta në ishullin Aruba ku sipas dokumenteve të antimafias italiane kanë marrë pjesë biznesmenë, eksponentë të krimit dhe përfaqësues të qeverisë shqiptare. Është folur në lidhje me ndërtimin e kullave në Tiranë dhe ndërtime strategjike.
Në qendër të lidhjes së krimit të organizuar me qeverinë ishte Artur Shehu.
Në 2022, vetëm 2 vite pas takimit në Aruba, rezulton se në Shqipëri kompania e tij ka marrë me firmën të Ramës disa leje ndërtimi në Vlorë. Sot qeveria shqiptare ka nr. 2 të saj, zv kryeministrja Belinda Balluku një person nën hetim për milionë euro shkelje të barazisë në tendera. Edhe pse është nën hetim vijon të jetë në krahë të Ramës dhe numri 2 i qeverisë,”- u shpreh ai.
Belinda Balluku dhe hetimi nga SPAK-u
Belinda Balluku, aktualisht zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, është vënë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për dyshime lidhur me shkelje të barazisë në tendera. Hetimi lidhet me disa procedura të zhvilluara në Ministrinë e Infrastrukturës, përfshirë projekte madhore si tuneli i Llogarasë dhe tendera të tjerë publikë të dyshuar për rritje të kostove dhe parregullsi në përzgjedhjen e fituesve.
SPAK ka dërguar një ftesë zyrtare në ministri për paraqitjen e Ballukut në cilësinë e personit nën hetim, duke i kërkuar të shoqërohet me avokat. Sipas burimeve mediatike, Balluku nuk është paraqitur në datën e parë të caktuar, për shkak të angazhimeve jashtë vendit, por pritet të thirret sërish.
Nga ana tjetër, vetë Balluku nuk ka dhënë ende një reagim të plotë publik mbi hetimin, ndërsa burime pranë saj bëjnë me dije se ajo e konsideron çështjen një proces rutinë verifikimi dhe se është e gatshme të bashkëpunojë me drejtësinë.
SPAK, nëpërmjet një njoftimi të shkurtër, ka konfirmuar se hetimet janë në fazë paraprake dhe se për momentin ministrja nuk është marrë e pandehur.
Ky zhvillim vjen në një moment kur emri i Ballukut është përmendur edhe më herët në denoncime të ndryshme për menaxhimin e fondeve publike, çka e ka vënë nën vëmendjen e opinionit publik dhe mediave./ Zoom.al