zoom

In Zoom

DOSJA / Dy kompani të dyshimta në tenderin 365 milionë euro për Milot – Balldren

DOSJA / Dy kompani të dyshimta në tenderin 365 milionë euro për Milot – Balldren

Njoftimi për shpalljen e fituesit të koncesionit 35-vjeçar të aksit rrugor “Milot-Balldren”, me një kosto fillestare prej 365 milionë eurosh dhe fitim të garantuar që parashikohet të arrijë deri në 1 miliard euro, po kthehet në skandalin më të madh të vitit.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e drejtuar nga Enea Karakaçi, njoftoi se fitues është bashkimi i kompanive “Salillari” sh.p.k., “ALB TIEFBAU” sh.p.k., “InfraKonsult” sh.p.k. dhe “ERALD-G” sh.p.k.

Përveç emrit të njohur të Salillari, vëmendja e opinionit publik, politikës dhe organeve të hetimit është përqendruar te një nga ortakët e konsorciumit fitues: kompania “Erald-G” sh.p.k.

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, denoncoi publikisht se pas këtij emri fshihet Gëzim Ismaili, i cili cilësohet si një nga personat kyç të goditur nga SPAK më 10 qershor 2026 si pjesë e dosjes voluminoze të të ashtuquajturit “Grupi i Arubës”.

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e Biznesit dhe një dosje e SPAK-ut, kompania “Erald-G” është themeluar me seli në Vlorë dhe ka si objekt veprimtarie ndërtimin, punimet inxhinierike dhe shfrytëzimin e inerteve.

Kompania rezulton në pronësi të biznesmenit Gëzim Ismaili. Hetimet e SPAK-ut dhe përgjimet e zbërthyera nga rrjeti “Sky ECC” e lidhin Ismailin me klanin e trafikut të kokainës që operonte nga Amerika Latina (Ekuatori/Surinami) drejt parajsës fiskale të Arubës dhe portit të Antverpit.

Në dosjen e prokurorëve të posaçëm, Ismaili rezulton të jetë kunati i Luçiano (Artur) Koçekut, një nga eksponentët kryesorë të grupit të Arubës. Prokuroria dyshon se kompania “Erald-G” ka shërbyer si një fasadë për të futur miliona euro të ardhura nga narkotrafiku në ekonomi, përmes sektorit të ndërtimit.

Ndërsa ndaj Ismailit dhe 18 personave të tjerë janë caktuar masa sigurimi nga GJKKO në qershor 2026, ortaku i tij tregtar gjendet nën masën “arrest shtëpie” për akuzat e rënda të “Pastrimit të produkteve të veprës penale” dhe “Grupit të strukturuar kriminal”.

Lexo edhe:

“Mbreti” i tenderave lokalë, 217 procedura dhe 6 milionë euro para publike

Një verifikim i historikut të prokurimeve publike zbulon se para se të futej te tenderi gjigand i Milot-Balldrenit, “Erald-G” ka qenë një nga fitueset sistematike të fondeve të pushtetit vendor dhe qendror, veçanërisht në rajonin e Jugut, Vlorë, Sarandë, Tepelenë dhe në infrastrukturën rrugore. 

Kompania numëron më shumë se 217 procedura tenderuese,  të fituara gjatë viteve të fundit. Vetëm në 6 vitet e fundit (2020–2026), “Erald-G” ka arkëtuar mbi 6 milionë euro nga buxheti i shtetit përmes tenderave për mirëmbajtje rrugësh, shtrim asfalti dhe punime ujësjellës-kanalizimesh. Megjithëse pronari i saj po hetohet për pastrim parash të kartelit të kokainës, kompania nuk është vënë nën sekuestro preventive nga SPAK, duke i lejuar asaj të marrë pjesë lirshëm në procedura me vlera madhore.

Prapaskena e tenderit 365 milionë eurosh

Gara për aksin Milot-Balldren ishte hapur që në gusht të vitit 2025 nën drejtimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Kjo rrugë është një nga segmentet më të shtrenjta për kilometër në Ballkan, e cila është kritikuar ashpër nga opozita për “fryrje të kostove”. 

Deputeti Belind Këlliçi ka ngritur pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si strukturat e kontrollit të prokurimeve kanë kaluar një kompani me pronar nën hetim kriminal.

“Si është e mundur që nën hundën dhe sytë e SPAK, gjatë kohës që këto kompani të lidhura me krimin e organizuar janë nën hetim, përfitojnë kontrata me vlera qindra milionë euro nga fondet publike?!” — deklaroi Këlliçi.

Partia Demokratike i ka bërë thirrje zyrtare SPAK-ut që të vendosë menjëherë sekuestron preventive mbi kompaninë “Erald-G”, të anulojë urgjentisht garën për aksin Milot-Balldren dhe të nisë hetimin për të gjitha 217 tenderat e fituar nga kjo shoqëri gjatë mandatit të qeverisë Rama.

“Infrakonsult”, kompania biznesmenit të lidhur me Zvërnecin, pjesë e konsorciumit

Pjesë e bashkimit të operatorëve që do të ndërtojnë rrugën Milot – Balldren është edhe “InfraKonsult”, në pronësi të Redi Strugës, një prej emrave të lidhur me projektin e ndërtimit të resortit luksoz turistik në Zvërnec, prapa të cilit qëndrojnë vëllezërit sirianë me pasaporta të Katarit Al-Khayyat dhe dhëndrri i presidentit Trump, Jared Kushner. 

Nëpërmjet kompanisë “South Adriatic Development”, Redi Struga rezulton se ka blerë 1.2 milionë metra katrorë prona në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë dhe themeloi kompaninë “Albania Land Development”, e cila tani zotërohet nga Al-Khayyat. SPAK e ka atë në verifikim për këtë çështje. 

Dështimi i tenderit të parë për Milot – Balldren 

Projekti për ndërtimin e rrugës Milot – Balldren u tenderua fillimisht në vitin 2018. Tenderi u fitua nga kompania ndërtuese “ANK” sh.p.k. 

Projekti ishte planifikuar të realizohej përmes një partneriteti publik-privat PPP me një vlerë prej rreth 225 milionë eurosh, që me gjithë interesat bankare e financiare arrinte në rreth 290-300 milionë euro.

Por ky projekt nuk mundi të niste kurrë nga puna dhe u anulua përfundimisht nga Ministria e Infrastrukturës në korrik të vitit 2020 për dy arsye kryesore.

Së pari, kompania “ANK” nuk arriti dot të gjente financimin e nevojshëm bankar për të mbyllur paketën financiare. Sipas kontratës, kompania duhet të siguronte vetë mjetet monetare nga bankat vendase apo të huaja për të nisur punimet, por bankat tregtare refuzuan ta kreditonin këtë projekt me atë vlerë aq të lartë.

Së dyti, projekti u përfshi nga akuzat e forta se kostoja e ndërtimit ishte fryrej artificialisht (rreth 17 milionë euro për kilometër për një rrugë në fushë), duke e kthyer atë në një nga tenderat më të kritikuar në vend.

FMN-ja dhe Komisioni Europian kritikuan ashpër përdorimin e skemave PPP me oferta të pakërkuara, duke paralajmëruar se ato po rritnin me hapa rrezikshëm borxhin publik të Shqipërisë. Përfundimisht projeki u anulua në vitin 2020, duke e lënë arterien kryesore të veriut me një rrugë me dy kalime, e cila krijon trafik të konsderueshëm gjatë sezonit turistik. /Zoom.al

Postime të lidhura