Aplikacion
Kryeministri Edi Rama u ndal gjatë mbledhjes së grupit edhe te akuzat e përhapura se ai ka qenë i përfshirë në takime në Aruba.
Ai i hodhi poshtë këto pretendime, duke theksuar se mungojnë faktet.
“Në të gjithë historinë e njerëzimit, që kur janë vendosur rregullat e qytetërimit romak, llogaria jepet në bazë të fakteve. Çfarë vlere ka që unë të them se nuk kam qenë kurrë në Aruba, nuk e di fare për çfarë bëhet fjalë, nuk kam dërguar kurrë njeri? Këto nuk kanë vlerë, sepse Aruba është bërë e vërtetë, është nxjerrë në këtë fushën e algoritmit, është ricikluar në pafundësi dhe është bërë e vërtetë.
Siç është bërë e vërtetë që unë jam një konsumator kokaine. Fjala “drogagji”, “ik mor drogagji”, është një refren që mua më ndjek si e vërtetë. Siç është e vërtetë që unë kam akuzuar tim atë për marrëdhënie me time shoqe dhe për atësinë e djalit tim, është bërë e vërtetë çfarëdo të them unë. Nuk kanë rëndësi letrat e gjykimit, algoritmi e ka bërë të vërtetë, siç kanë bërë të vërtetë që unë jam një kusar që marr pjesën time nga çdo lloj gjëje që bëhet në Shqipëri. Për këtë arsye nuk e them këtë gjë rregullisht, se nuk ka asnjë vlerë”, tha Rama.
Takimi i quajtur “Aruba” i referohet një mbledhjeje të zhvilluar në janar 2019 në ishullin Aruba në Karaibe, ku sipas mediave dhe raportimeve hetimore, kanë marrë pjesë disa persona të lidhur me biznesin dhe rrjete të dyshuara kriminale ku më i lakuari është Artur Shehu.
Sipas burimeve thuhet se në takim janë diskutuar investime në Shqipëri me para të fituara nga trafiku i drogës.
Përgjime të grupit të Arubas kanë nxjerrë në dritë mekanizmat se si paratë e drogës futeshin në industrinë e ndërtimit dhe se si merreshin lejet për pallate, nëpërmjet njohjeve në qeveri.
Në komunikimet SkyEcc të Alfred Hamzai dhe Ardian Zykaj, të zbardhura nga SPAK në dosjen hetimore që Zoom.al ka mundur ta konsultojë, ata flasin për ndërhyrjet që Besnik Myftari (Beso) do të bentë për të marrë lejen për të ndërtuar te “toka te Juvenilja”, pranë stadiumit “Air Albania”.
Alfred Hamzai i shkruan Ardian Zykajt në një moment që ishte në kafene me Beson dhe i thotë se Beso do të flasë me Ramën për të marrë lejen./ Zoom.al