Aplikacion
Detaje të reja kanë dalë nga mbledhja me dyer të mbyllura e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku nuk kanë munguar debatet mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetëve socialistë.
Sipas burimeve, një nga përplasjet më të forta ka qenë ajo mes Ramës dhe deputetit Erion Braçe. Kryeministri e ka kritikuar Braçen për postimet e shpeshta në rrjetet sociale lidhur me problematikën e mbeturinave, duke i vënë në dukje se publikon vetëm rastet kur koshat janë të mbushur dhe jo momentet kur situata normalizohet.
Braçe ka kundërshtuar këtë qëndrim, duke argumentuar se do të vazhdojë t’i publikojë problematikat për sa kohë ato mbeten të pazgjidhura dhe shqetësojnë qytetarët.
Gjatë mbledhjes është tentuar të diskutohet edhe për aktivisten Marjana Koçeku, e cila ka qenë në qendër të vëmendjes ditët e fundit. Burimet bëjnë me dije se kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ka tentuar ta përfshijë çështjen në diskutim, por debati është ndërprerë nga vetë kryeministri Rama, i cili nuk ka lejuar që tema të zgjerohej më tej.
Në pjesën tjetër të mbledhjes, fokus i diskutimeve kanë qenë zhvillimet politike të ditëve të fundit dhe protestat për Zvërnecin. Rama u ka dhënë deputetëve orientime për mënyrën se si duhet të komunikojnë publikisht dhe të adresojnë situatën politike.
Po ashtu, kryeministri ka kërkuar nga deputetët dhe ministrat të rrisin angazhimin në rrjetet sociale, duke promovuar më shumë investimet dhe projektet e qeverisë. Sipas burimeve, Rama është shprehur i pakënaqur me mënyrën se si po pasqyrohen arritjet e ekzekutivit në platformat online.
“Ne nxjerrim një punë dhe nuk merr algoritëm”, mësohet të ketë thënë ai gjatë mbledhjes, duke kërkuar një prani më të fortë të socialistëve në rrjetet sociale.