Aplikacion
Partia Socialiste po zhvillon këtë të shtunë mbledhjen e grupit parlamentar, ku marrin pjesë deputetët socialistë dhe anëtarët e kabinetit qeveritar. Takimi po mbahet në Pallatin e Brigadave dhe është përqendruar në disa prej çështjeve kryesore të agjendës politike dhe qeverisëse.
Një nga temat kryesore të diskutimit lidhet me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe ecurinë e negociatave të anëtarësimit. Gjithashtu, në qendër të vëmendjes është vendosur edhe projekti për investimin në Zvërnec dhe interesi i shprehur për zhvillimin turistik të ishullit të Sazanit.
Çështja e Zvërnecit pritet të zërë një vend të rëndësishëm në debatet e mbledhjes, pasi projekti ka ngjallur reagime të shumta publike, protesta dhe interes të mediave ndërkombëtare.
Gjatë takimit, kryeministri Edi Rama pritet të mbajë një fjalë përpara deputetëve, së bashku me kryetarin e Grupit Parlamentar, Taulant Balla. Deputetët do të kenë kohë të kufizuar për diskutime dhe raportime mbi çështjet e rendit të ditës.
Po ashtu, interes pritet të ketë edhe mbi zhvillimet e fundit politike brenda grupit socialist, pas largimit të deputetes Marjana Koçeku, një çështje për të cilën ende nuk ka pasur një qëndrim publik nga kryeministri./ Zoom.al