zoom

Lajme

Rama flet për protestat: Bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por prej emrit të Kushnerit

Rama flet për protestat: Bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por prej emrit të Kushnerit

Në mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama foli sërish për debatet dhe protestat që lidhen me investimin në zonën e Zvërnecit.

Ai e përshkroi gjithë situatën si një konflikt që, sipas tij, ka marrë përmasa shumë më të mëdha në hapësirën online.

Sipas Ramës, ajo që nisi si një incident mes një protestuesi dhe rojeve të sigurisë private është shndërruar në një debat të gjerë në rrjetet sociale dhe mediat ndërkombëtare, duke tërhequr vëmendje nga aktorë të ndryshëm politikë e publikë në disa vende.

Kryeministri theksoi se çështja e Zvërnecit nuk lidhet vetëm me një zonë turistike apo një investim të veçantë, por është shndërruar në një “çështje të amplifikuar dixhitale”.

Ai u shpreh se debati është ndikuar edhe nga përfshirja e figurave të njohura ndërkombëtare, duke përmendur në mënyrë indirekte biznesmenin Jared Kushner dhe presidentin amerikan Donald Trump, duke thënë se emrat e tyre kanë ndikuar në mënyrën si është perceptuar çështja në opinionin publik global.

Sipas Ramës, kjo ka bërë që fokusi të largohet nga realiteti lokal i Nartës dhe Zvërnecit dhe të kthehet në një debat të madh politik e mediatik ndërkombëtar.

“Ne mund të bëjmë vetëm atë që bëhet për të kuptuar politikën sot. Ka shumë nga kjo e sotmja, që filozovë e historian e kanë përshkruar kohë më parë se të vinim ne, Facebook e Tik Tok. Ata mund të na ndihmojnë të kuptojmë atë që po ndodh. Njëri prej atyre që nuk jetoi në epokën e internetit, na ndihmon ta kuptojmë shumë më shpejtë mekanizmin që ushqen me kaq sukses historinë e algoritmeve. Kur kritika bëhet identitet dhe kur njeriu nuk lufton më që problemi të zgjidhet, por që të mos mbarojë kurrë. Sepse kur problemi zgjidhjet, duhet të gjendet një problem tjetër. Natyrisht politika s’është kuzhinë, por mekanizmat njerëzore nuk ndryshojnë aq shumë dhe as ata politikë jo e jo. Objekti ndryshon, mekanizmi mbetet. Sot është një projekt, nesër një ligj, pastaj një aleacë, pastaj një roje apo polic i dehur. Nuk ka rëndësi objekti, rëndësi ka që motori të mos pushojë. Sepse kur pushon, nuk ka më lëndë djegëse

Bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por prej emrit të Kushnerit dhe hijes së vjehrrit të tij, të cilin e urrejnë për vdekje të gjitha armatat online. Dhe si në një film, bulevardi përputhi atë arenë të frikshme me krejt armatën e urrejtësve shqiptarë, online dhe offline. Jo kundër Trumpit, por ndaj meje dhe ndaj jush. I gënjeu mendja se çadra globale e kësaj proteste do të bënte mrekullinë që nuk e bëri dot çadra lokale e protestës së Lulit tim dhe kështu do të laheshin dy hesape të vjetra. Bota e madhe do ta turpëronte Trumpin në betejën e Nartës”, tha Edi Rama./ Zoom.al

Postime të lidhura