zoom

Lajme

Sot protesta e 21 në Tiranë, tubimit pritet t’i bashkohet edhe diaspora

Sot protesta e 21 në Tiranë, tubimit pritet t’i bashkohet edhe diaspora

Tirana pritet të jetë sot qendra e një tjetër proteste masive kundër qeverisë. Organizatorët kanë njoftuar zhvillimin e tubimit të 21-të radhazi në kryeqytet.

Sipas njoftimeve të bëra në ditët e fundit, në protestë pritet të marrin pjesë qytetarë nga qytete të ndryshme të vendit, si edhe shqiptarë të ardhur nga diaspora. Organizatorët kanë bërë thirrje për një pjesëmarrje sa më të gjerë, duke e konsideruar këtë tubim si një nga më të rëndësishmit deri më tani.

Një grup emigrantësh shqiptarë të ardhur nga Mbretëria e Bashkuar ka udhëtuar drejt Shqipërisë me automjete private për t’iu bashkuar protestës. Gjatë itinerarit, atyre u janë bashkuar edhe bashkatdhetarë nga vende të tjera europiane, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Austrinë.

Protesta pritet të nisë me grumbullimin e pjesëmarrësve në qendër të Tiranës dhe më pas të vijojë drejt godinës së Kryeministrisë, ku organizatorët kanë paralajmëruar mbajtjen e fjalimeve dhe adresimin e kërkesave të tyre.

Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet largimi i kryeministrit Edi Rama. Ndërkohë, organizatorët kanë bërë thirrje që protesta të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe me pjesëmarrje sa më të madhe./ Zoom.al

Postime të lidhura