zoom

Ide & Blog

Skenarët e mundshëm të ndikimit të protestave!

Skenarët e mundshëm të ndikimit të protestave!

Nga Artan Fuga

Protestat e një mase shumë të madhe njerëzish kanë tronditur rëndë politikën, qeverisjen, opinionin publik dhe institucionet që ndonëse e quajnë veten përfaqësuese të qytetarëve, nuk mundin të fitojnë besimin e tyre.

Protestat po zgjasin prej më shumë se dy javësh çka nga njera anë tregon energjinë kritike të pjesëmarrësve, por nga ana tjetër, duhet thënë, kanë krijuar një normalitet në anormalitet. Klasa politike sunduese sikur po mësohet me to, dhe jeta vazhdon sikur të mos ketë ndodhur gjë, dhe sikur bulevardi dhe sheshet të mos tronditen nga thirrjet dhe marshimet e mijëra qytetarëve.

Gjithandej pyetet se si do të vejë puna? Sigurisht askush nuk e ka fuqinë të parashikojë fatin e të tilla zhvillimeve sadoqë sido të vejë puna në të ardhmen disa gjëra janë kapërcyer dhe një realitet i ri do të shfaqet.

Mendoj se nga një analizë e situatës politike, por edhe strukturës si funksion politika dhe qeverisja sot te ne ka disa skenare të mundshme:

I pari, protesta zgjerohet, e ruan energjinë e saj, mbështetet nga një pjesë gjithnjë e më gjerë e opinionit publik, në një farë mënyre radikalizohet në qëndrime, duke ndërmarrë edhe veprime të tjera veç atyre të marshimit në rrugë dhe sheshe. Kjo e detyron shumicën socialiste të ndryshojë qeverisjen duke ndërruar kryeministrin dhe qeverinë, e duke krijuar një tjetër nga gjiri i saj. Kështu mund të thotë se vullneti i protestës u realizua.

Ky version kundërshtohet nga fakti se si e vështirë sot për sot që lidershipi sundues brenda shumicës parlamentare të çedojë vendin e vet ndonjë grupi tjetër brenda tij.

I dyti, protesta sado e ligjshme, e justifikuar, e gjerë, vazhdon për një kohë, por nuk arrin të kristalizojë një drejtim politik të organizuar, nuk formon një ose disa parti, pra nuk transformohet në një valë që strukturohet si forcë politike që merr pjesë në zgjedhje, dhe ndonëse vazhdon për një kohë të caktuar, nis edhe të rutinizohet dhe gradualisht ta humbë forcën e saj. E vërteta që lidershipi politik po bën çfarë është e mundur që çështjet të shkojnë në këtë rrugë.

Edhe ky version mund të kundërshtohet sepse ata që e nisën protestën nuk mendohet se e bënë për të mos arritur disa objektiva që janë shprehur.

I treti është që Edi Rama duke parë qëndrueshmërinë e protestës dhe zgjerimin e mundshëm të saj, të shpërndajë Kuvendin dhe në vjeshtë të shpallë zgjedhjet e parakohshme për t’i fituar ato. Këtu ai mund të mbështetet te fakti që partia demokratike dhe partitë e tjera shihen nga protestuesit me po atë sy që shihet edhe Partia Socialiste, si edhe duke kërkuar t’i gjejë protestuesit ende të pastruktuar mirë politikisht.

Edhe mund ta bëjë, por hëpërhë nuk e konsideron si prioritare duke imagjinuar se punët nuk kanë arritur deri aty. Deputetët nuk do ta donin sepse rrezikojnë të humbasin kolltuqet e deputetit që u japin privilegje.

I katërti, të krijohet spontanisht një numër deputetësh që t’ja bëjnë të pamundur shumicën kryeministrin në Kuvend dhe në këtë mënyrë ta detyrojnë të formojë një qeveri teknike dhe pastaj brenda një periudhe të kalohet në zgjedhje.

Ky variant kundërshtohet me argumentin që duke ditur rreshtimin e deputetëve dhe natyrën e tyre të varur nga lidershipi partiak, si vështirë që segmente të gjera deputetësh të arrijnë të mëvetësohen në sjelljen e tyre politike.

I pesti, protestuesit nisin të organizohen politikisht që sa kohë Edi Rama është kryeministër, dhe përgatiten që më pas ta forcojnë energjinë e protestës duke bërë që brenda një ose dy muajsh të kërkojnë zgjedhje dhe përfaqësohen atje politikisht. Pra, të shkojnë drejt krijimit të partive.

Ky variant ka si kundërshtim që iniciativa për të krijuar parti mund të sjellë brenda protestuesve jo një, por disa parti politike të reja dhe në këtë mënyrë energjia e protestës të përçahet dhe të zbehet duke sjellë zhgënjim midis tyre.

I gjashti, Edi Rama merr përsipër të anullojë projektin e Zvërnecit, edhe si presion nga BE, ose nga ndonjë tërheqje e mundshme e vet financuesve sipërmarrës, dhe të konsiderojë se objektivat e protestës u dëgjuan.

Edhe ky version ka kundërshtimet e veta, sepse janë avancuar shuma financiare dhe qeveria e di se tërheqja e investitorëve do të ishte me kosto për besueshmërinë e saj te kapitali i huaj dhe influenca e tij te pushtete ndërkombëtare që mbështesin qeverinë!

I shtati, një ndërhyrje më direkte e faktorit ndërkombëtar që mund të ndikonte si mbi qeverinë, ashtu edhe mbi faktorin politik tjetër.

Ky version ka kundërshtinë se një ndërhyrje e hapur nuk do të imagjinohej sepse kjo do të ndikonte mbi faktorin protestë dhe mund të mos shihej mirë nga opinioni publik.

Si përfundim sot jemi në një gjendje ekuilibri të paqëndrueshëm, i cili sjell si të papritura, edhe një lloj hezitimi dhe kaosi në publik, por edhe një gjendje politike në statukuo të një krize që duket e gjatë dhe ende në fillimet e veta.

Protestuesit kanë energjinë dhe iniciativën politike në sheshe, por kanë vështirësi dhe barriera për t’u strukturuar politikisht dhe për t’u bërë në afatshkurtër faktorë nga jashtë në brenda sistemit politik.

Opozita e sotme ka zë brenda sistemit politik, por sot për sot ajo nuk ka mbështetjen e protestuesve dhe të qytetarëve politikisht aktivë. Protestat e kanë dobësuar edhe më tepër atë. Veprimet e saj në Kuvend janë aktualisht pa pasoja politike.

Qeveria ka marrë një goditje që vazhdon në opinionin politik dhe ndodhet përpara të papriturave si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Por, ama ruan përparësi brenda sistemit të vendimmarrjes politike, ka mbështetje ndërkombëtare, dhe ka sigurisht edhe përkrahje nga grupe sipërmarrësish të lidhur me të.

Sa do të vazhdojë ky ekuilibër i paqëndrueshëm?

Kjo do të shihet! Ndoshta një rrethanë e re e prish!

Postime të lidhura