Aplikacion
Detaje të reja janë zbardhur lidhur me marrëveshjen e shumëdiskutuar mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, e cila synon t’i japë fund tensioneve dhe konfliktit mes dy vendeve.
Edhe pse dokumenti nuk është publikuar zyrtarisht, “CNN” raporton se ka siguruar një kopje të memorandumit të mirëkuptimit nga burime pranë administratës amerikane.
Përmbajtja e dokumentit është konfirmuar gjithashtu nga diplomatë dhe burime të përfshira në procesin e negociatave. Sipas raportimeve, memorandumi konsiderohet një dokument politik paraprak, ndërsa marrëveshja përfundimtare pritet të negociohet brenda një afati 60-ditor.
Një nga pikat më të rëndësishme të draftit është shpallja e përfundimit të menjëhershëm të armiqësive mes palëve dhe angazhimi për të mos përdorur forcë apo kërcënime ndaj njëra-tjetrës në të ardhmen. Po ashtu, të dyja vendet zotohen të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial reciprok.
Dokumenti parashikon heqjen graduale të bllokadave dhe kufizimeve ekonomike ndaj Iranit. SHBA angazhohet të lehtësojë trafikun detar në rajon, të tërheqë forcat nga zonat përreth konfliktit dhe të mos vendosë sanksione të reja gjatë periudhës së negociatave.
Një tjetër element me rëndësi është plani ekonomik për rimëkëmbjen e Iranit. Sipas draftit, SHBA dhe partnerët rajonalë do të mbështesin një program zhvillimi me vlerë minimale prej 300 miliardë dollarësh, me detajet e financimit që do të përcaktohen në marrëveshjen përfundimtare.
Nga ana e saj, Republika Islamike e Iranit rithekson se nuk do të prodhojë armë bërthamore.
Drafti përfshin gjithashtu zhbllokimin e fondeve dhe aseteve iraniane të ngrira, si dhe lehtësimin e eksporteve të naftës dhe produkteve petrokimike deri në arritjen e një marrëveshjeje të plotë.
Në fund, parashikohet ngritja e një mekanizmi të posaçëm për monitorimin e zbatimit të angazhimeve dhe miratimi i marrëveshjes finale përmes një rezolute detyruese të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara./ Zoom.al