Aplikacion
Kryeministri Edi Rama pritet të mbledhë të shtunën grupin parlamentar të Partisë Socialiste në Pallatin e Brigadave, në një takim që zhvillohet në një moment të rëndësishëm për mazhorancën dhe klimën politike në vend.
Mbledhja është planifikuar të nisë në orën 10:00 dhe vjen në një periudhë kur protestat kundër projektit të parashikuar në Zvërnec dhe ndryshimeve ligjore që prekin zonat e mbrojtura kanë dominuar debatin publik dhe politik.
Takimi zhvillohet gjithashtu pas zhvillimeve të fundit brenda shumicës qeverisëse, ku largimi i deputetes Marjana Koçeku nga radhët e socialistëve ka sjellë diskutime dhe reagime në skenën politike.
Burime bëjnë me dije se gjatë mbledhjes pritet të diskutohen çështje që lidhen me agjendën parlamentare, zhvillimet aktuale politike, si dhe objektivat e qeverisë për muajt e ardhshëm. Po ashtu, në fokus mund të jenë edhe qëndrimet e mazhorancës përballë protestave dhe debateve të fundit publike./ Zoom.al